A kemi sy e veshë të lexojmë e dëgjojmë Rexhep Qosjen?
TIRANE- A kemi ne shqiptarët sy e veshë për të lexuar dhe dëgjuar atë që Akademiku i shquar kosovar Rexhep Qosja thotë ndërsa komenton këtë moment të vështirë historik që po kalojmë? A do të ndalemi pak të reflektojmë për çka përcjell një burrë i rrallë, me pamjen dhe mençurinë e kalibrit të një Rilindasi? Si mund të jemi të pavëmendshëm ndaj një shqipe kaq të bukur, ndaj frazave të thjeshta që janë frut i një erudicioni dhe një eksperience të grumbulluar në majën e gati 75 vjetëve?Nga kush i kemi dëgjuar tjetër? Të dhënat e ftohta të tregut dëshmojnë se disa shqiptarë e bëjnë këtë: Shkrimet dhe intervistat e Akademikut të shquar, të publikuara nga “Gazeta Shqiptare”, arrijnë të shtojnë tirazhin që fatkeqësisht, normalisht, e bëjnë suplemente si Blututhi apo histori personazhesh të Big Brother. Pra sinjale pozitive ka. Do të doja të lexohej e të rilexohej, dhe në internet, kush nuk pa intervistën bërë nga Rudina Xhunga, ta ndjekë në www.top-channel.tv . Jo vetëm një herë, por disa herë me radhë. Nuk ka mundësi që të mos jenë dakord me të demokratë e socialistë; të gjithë ata shqiptarë që i bashkojnë disa vlera më të mëdha se teserat e partive e shkëlqimi i ca monedhave të fituara shpejt, kollaj e me hile: Pra, mençuria, estetika, etika që fjalët e tij përçojnë. Dhe nuk janë vetëm këto. Eshtë dhe guximi, kurajo e ndershmëria intelektuale, që në Shqipëri pakkush e ka. Duhet dëgjuar me vëmendje një njeri kur i flet shpirtit dhe mendjes së një populli, e duhen shpërfillur të gjitha ata, që këto vite, me dinakëri e qëllimi përfitimi, u flasin emocioneve e pasioneve duke na çuar në qorrsokak.
(BalkanWeb)
(BalkanWeb)