E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeorgjia, lufta që iu “imponua” Rusisë

 

Enri Hide

Në libërthin e tij të hershëm Sun Tzu, strateg kinez i thuajse 25 shekujve më parë, shkruante: “Armikun mos e vendosni kurrë me shpatulla pas muri, pasi nëse nuk i lini një shteg shpëtimi, ai do të reagojë dhe do të luftojë me të gjitha fuqitë që ka për të mbijetuar. Dhe ai që lufton për jetën e tij, pa rrugëdalje, shndërrohet në bishën më të rrezikshme”. “Lufta”, – shkruante ai – “duhet evituar me çdo kusht”. Por, nëse ajo duhet kryer, nëse është çështje ekzistenciale për një vend çështje prestigji për një tjetër, apo thjesht një instrument gjeopolitik në kurriz të ndonjë kundërshtari më të dobët, ajo duhet kryer “për së mbari”! Shihni Rusinë sot... I ngjan pikë për pikë fabulës së vjetër.
Vërtet... hidhini një sy politikës së zgjerimit të NATO-s në brezin jetik të sigurisë ruse, të njohur ndryshe si “Rimland” dhe do të kuptoni shqetësimin, përpjekjet për ringjallje dhe, së fundmi, reagimin ekstrem – pra luftë “thuajse” totale – të Rusisë karshi Gjeorgjisë, e fundmit e “Mohikanëve”, që “guxoi” të ndiqte gjurmët e shteteve të tjera të rajonit, drejt integrimit në NATO...! Preteksti u gjet, Osetia e Jugut; rajon me popullsi mikse. Ai gjithnjë ka qenë i lehtë për t’u gjetur: qoftë në rastin e superfuqive globale, ashtu dhe në rastin e shteteve agresore. Pyetja që lind natyrshëm dhe që gjithnjë na ka munduar është: a ka moral bota e marrëdhënieve ndërkombëtare? Cili është ai? Sepse nëse është fuqia, atëherë le ta pranojmë dhe të largojmë ëndrrat thuajse njëzetë vjeçare të mbushura me përdorimin e pafund të “idesë globale”, të “fshatit global”, të kozmopolitarizmit të munguar, të qeverisjes globale.
Shpresat e disave dhe frika e disa të tjerëve se Rusia nuk do ishte më një lojtar kyç në skakierën gjeopolitike globale, sidomos pas ngjarjeve që pasuan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në fillim të vitit 1990, nuk u realizuan kurrë. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1989 dhe humbja në vijim e influencës së Rusisë si në hapësirën e saj jetike, ashtu edhe në Perëndim, përbëjnë dy elementet themeltarë të trajektores së tanishme gjeopolitike të Rusisë. Përpjekja e Rusisë për t’u ringjallur dhe ripozicionuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, e cila është bërë tepër evidente gjatë këtyre viteve të presidencës së Vladimir Putin, përfshin përpjekjen për rifitimin e influencës, respektit dhe sigurisë kombëtare. Dëshira e Moskës është veçanërisht therëse nëse marrim parasysh poshtërimet e mëparshme të Rusisë (sikundër ato perceptohen prej lidershipit aktual, me të cilin kuptojmë elitën politike në përgjithësi) – veçanërisht ato të pësuara gjatë qeverisjes së vonë të Boris Yeltsin, kur Perëndimi kaloi kufijtë duke cenuar dhe shkelur ato që Rusia i konsideronte si zonat e saj të privilegjuara. Nuk duhet harruar gjithsesi se Rusia nuk ka më në dispozicion shumë prej instrumenteve që kishte dikur Bashkimi Sovjetik për të imponuar sjelljen e shteteve të tjerë. Një ndërgjegjësim i tillë i politikëbërësve rusë komplikon de fakto përpjekjen e presidentit të mëparshëm Putin dhe atij aktual për të kënaqur imperativat aktuale gjeopolitike ruse të krijimit, stabilizimit dhe rrënjosjes së hegjemonisë në atë që Rusia e ka konsideruar kaherë si hapësirë jetike... Rigjallërimi i Rusisë mori një goditje fatale definitive pas deklaratës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 18 shkurt. Megjithëse kjo ishte një çështje e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e shteteve të Evropës Perëndimore, për Rusinë pavarësia e Kosovës është shumë më tepër: ajo përbën një kërcënim madhor ndaj përpjekjes së Rusisë për të demonstruar, fituar dhe, për rrjedhojë, stabilizuar kthimin e saj në statusin e superfuqisë në sistemin e marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare.
Por ajo që nuk përfundon kurrë është historia. “Fundi i Historisë”, “sajesa” famëkeqe e Fukujamës në fillim të viteve ’90-të, ishte një iluzion – këtë e thotë vetë autori në vitin 2005, pra tre vjet mbas dështimit total të luftës në Irak! Në fakt, ai që përfundoi edhe një herë është idealizmi uilsonian: ideja se është e mundur të largosh luftën dhe shkaqet e saj nga marrëdhëniet midis shteteve. 
Argumenti i parë i librit “Lufta e Peloponezit”, i Tukididit, shekulli i II-të p.e.s, përshkruan luftën midis athinasve e spartanëve, është se bota e marrëdhënieve midis shteteve është më shumë sesa përshkrim historik. Ajo është një vepër e shkruar mbi botën siç është, dhe jo siç duhet të jetë. Shumë  prej “analistëve” të sotëm duhet të bëjnë pikërisht këtë: t’i largohen fjalëve boshe për marrëdhëniet e “bukura” dhe “të lumtura” midis shteteve dhe të fillojnë të shohin botën reale që shtrihet –madje dergjet– aty, përpara tyre: vizione gjeopolitike tejet të ndryshme për botën që përplasen, shtete që shpërfillin të drejtën ndërkombëtare. Kush mund t’i vendosë sanksione Shteteve të Bashkuara për ndërhyrjen në Irak? Kush mund t’i vendosë tani sanksione Rusisë për 2.000 të vrarët brenda dy ditëve të para të luftimeve në Tbilisi, Osetinë e Jugut dhe në qytete të tjera gjeorgjiane?
Argumenti i dytë, gjithnjë i vlefshëm për ta marrë nga Tukididi është ai që ka të bëjë me moralin. Kur athinasit me flotën e tyre të madhërishme kishin rrethuar ishullin e vogël të Melosit dhe banorët brenda tij, të cilët fillimisht i përkisnin aleancës kundërshtare të Spartës, athinasit, pra superfuqia, zhvilluan dialogun e famshëm me qytet-shtetin e vogël. Dialogu përfundoi me shprehjen e famshme të athinasve drejtuar ishullarëve të Melosit: “Ne jemi këtu dhe po ju kërkojmë të nënshtroheni. Edhe ju, po të ishit në pozitën tonë dhe të kishit fuqinë tonë, do kishit bërë të njëjtën gjë. Prandaj, më i forti imponohet dhe më i dobëti pranon dhe nënshtrohet. Përndryshe, s’do kemi rrugë tjetër veçse t’ju shkatërrojmë të gjithëve”. Si përfundim, Melosi u bë shkrumb e hi. Por hyri në analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare si ligjërata më e fuqishme që vë fuqinë përballë moralit dhe të drejtën ndërkombëtare, ku këto dy të fundit janë armët e më të dobëtëve. Si shpjegohet që Rusia, kur i preken interesat e saj kombëtare nuk dashka t’ia dika për të drejtën, ligjet, parimet dhe normat ndërkombëtare? Si shpjegohet që dështoi mbledhja e Këshillit të Sigurimit? Ku shkoi globalizmi? Ku shkuan “vlerat kozmopolite” që po ushqejnë përfytyrimet tona për arenën politike globale? Gjeorgjia sot është veçse një skenë e përjetshme lufte dhe demonstrimi force.
Hobsi, në shekullin e 17-të, e përshkruante gjendjen natyrore, atë përpara se të krijoheshin shoqëritë njerëzore, pra “Leviatanin” e famshëm, si anarkike. Realizmi tradicional dhe ai sistemik në marrëdhëniet ndërkombëtare e shohin sistemin ndërkombëtar të shteteve si anarkik, pra si një sistem që nuk ka ndonjë autoritet suprem në trajtë shtetërore dhe unik që të imponojë ligjet ndërkombëtare. Së bashku me Makiavelin, ata hodhën themelin filozofiko-politik mbi të cilin u ndërtua korpusi qendror i dijeve realiste, në qendër të të cilave qëndron përgjithësisht “shteti”. Ky i fundit, nëse ka fuqinë e mjaftueshme dhe nëse ndihet i kërcënuar në thelbin jetik të tij, do e përdorë atë padyshim. Nëse kjo hipotezë ngërthehet me situatën e brendshme politike të Rusisë, me të kaluarën e saj prej superfuqie dhe shkëlqimin e dikurshëm, i cili gjallon ende në përfytyrimet gjeopolitike të elitës politike ruse, me zgjerimin e NATO-s, i cili shihej që në fillim si kërcënim për interesat afatgjata të Rusisë dhe kompleksin shekullor të “brezit jetik” (pra të “jastëkut” të shteteve që e rrethojnë gjeografikisht Rusinë për të mos lejuar asnjë penetrim të  “armikut perëndimor” në brendësi të trojeve ruse, mund të kuptojmë se përse rusët po tregohen kaq të zellshëm në sipërmarrjen luftarake në Osetinë e Jugut dhe, më përgjithësisht, në gjithë Gjeorgjinë.
Ditari kinez, Sun Tzu dikur thoshte që: “Ai gjeneral që njeh mirë veten, por nuk njeh armikun, do fitojë disa luftëra dhe do humbasë disa të tjera. Ai që nuk njeh mirë as veten dhe as armikun është i destinuar t’i humbasë të gjitha luftërat. Kurse ai që njeh mirë veten dhe armikun do i fitojë të gjitha luftërat”. Por, shtonte ai, “mos e urre kurrë armikun, pasi urrejtja verbëron gjykimin. Armikun duhet ta njohësh. Dija është zgjidhja, rrugëdalja”. Për Rusinë do jetë e nevojshme që, për të tejkaluar atë që konsiderohet si “poshtërim” në rastin e Kosovës, të aplikohet një sistem ndëshkimesh tjetërkund në hapësirën jetike gjeografike ruse: më konkretisht në vendet e Kaukazit, Ukrainës, Bjellorusisë dhe ato Baltike. Pra, duket qartazi se Gjeorgjia do të shërbejë nga njëra anë si një lloj “kompensimi” për Kosovën dhe, nga ana tjetër, si një trampolinë që do i rihapë Rusisë rrugën drejt rifitimit të statusit të një superfuqie në sistemin ndërkombëtar.
*MA, Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›