E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mos po zbehet dashuria e Ramës për Erion Velinë?

Me stofin e një politikani pa eksperiencë dhe me peshë në vend, përveç veshjes, i mbahet përdreq mend edhe një batutë. Edi Rama në Asamblenë Socialiste shikon në sallë edhe Erion Veliajn: “Nuk e kuptoj ende se çfarë pret për të hyrë në PS”. Sakaq, pas karantinës në grevën e urisë, Erion Veliaj u ndrit në fytyrë se ishte gati të pyeste bazën e grupimit politik, pra të fejuarën Ajola Xoxa dhe veten - duke thënë se ekziston mundësia për t’u martuar me Partinë Socialiste. Sakaq u dëgjua rrufeshëm interpretimi i LMN-së, nëpërmjet Kastriot Islamit i cili në një intervistë theksoi se “Shkrirja me G99 bëhet për të promovuar shpejt Erion Veliajn në drejtimin e PS-së”. Po ashtu para dy ditësh, juristi i Strasburgut, Damian Gjiknuri në një intervistë për një të përditshme theksoi se nuk e di se sa fiton Partia Socialiste me martesën e vet me G99-n e Erion Velisë. Sikurse në të njëjtën frymë është shprehur setra e vjetër Gjinushi, që tha paradokohësh se “hyrja e Veliajt në PS është një çeshtje e marrëdhënieve preferenciale mes Ramës dhe Veliajt”. Por dalja e koduar e deputetit Gjiknuri sikur shpreh pakënaqësinë e dukshme që ka baza socialiste për njerëz pa profil të qartë politik, si Erion Veliaj. Bile ky i fundit është i persekutuar nga Prokuroria e Tiranës për një aferë me fondet e fondacionit “Mjaft”. Gjestet e fundit afektive të Erion Velisë që flasin për një “vëllazëri” midis tij dhe Ramës sërish s’po mjaftojnë për të përligjur ndarjen e shtratit politik. Erion Veliaj duhet të bëjë më shumë për të qenë beniamini i shtëpisë socialistë, përtej besnikërisë së deklaruar. Për të gjithë, edhe për Erion Velinë, vlen fakti se nuk ka lumturi pa sakrifica, lumturia nuk dhurohet por fitohet me grevë dhe këtu qëndron bukuria, socialisti është një qenie kolektive dhe individualizmi është shkatërrimi i tij, dhe degjenerimi njëkohësisht. Ndoshta këto heshtje paralajmërojnë furtunën e vjeshtës do të kuptohet më mirë nëse do të kemi një marshim funebër apo martesor. Patjetër ai është një djalë i ri që pretendon se është shkolluar në Perëndim, por gjuha sofiste që përdor e që ngjan me akademitë e recitimit, do të përpiqet të mohojë çdo krisje të lidhjes mes tij dhe Ramës.
Konsumimi i kësaj historie dashurie me një fund të lumtur apo të palumtur sigurisht do të jetë në të njëjtin standard kurorëzimi si në telenovela dhe jo në shkrirje programesh apo idesh e afërmendsh mund të klasifikohet si shpërfytyrimi i pacipë i politikës opozitare dhe i karrieristëve të saj. Nuk ka rëndësi paja që bie nusja pasi të gjithë e dinë se “paja politike” e G99 është kaq e vogël sa profili i saj intelektual. Por Damian Gjiknuri, i cili ishte juristi i negociatave në Strasburg, si duket ose nuk i kalon mirë punët me Ramës, ose ky i fundit e ka mandatar që t’i tregojë derën e hajatit Erion Velisë. Në ditët në vazhdim do të mësojmë më shumë mbi këto krisje brendasocialiste.
Paçka se njerëzit përpiqen të informohen sa më mirë përmes medieve, nuk e kanë idenë se kush tjetër bën pjesë në G99 përveç Erjonit. Dhe kjo e dhënë është shumë e rëndësishme sepse, edhe në mungesë të indikacioneve të qarta, të jep të kuptosh se cilët janë grupet e interesit që e mbështesin G99-n. Ai përpiqet e mundohet shumë për të bërë diçka të vogël. Ai as mërzitet shumë nga pritja e gjatë, nga kërkesat e vazhdueshme, nga vështirësitë e shumta që pati impotenca e grevës etj, as nuk e humbet durimin e qëndresën; as thyhet shpirtërisht. Ai e lëshon veten kur duhet stigmatizimi nga më çiftueset por jo ide pa vizione qeverisëse, sepse ai e di se dashuria do të triumfojë. Ankthi i sentimentalizmit populist, i përzier me një frustrim të veshur me përveshje mëngësh shfaq infantilizmin emocional në shkrirjen e siglës së tij në partinë e metalurgjikut Edvin Kristaq Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›