PD i kërkon Bamir Topit të mos vazhdojë me shkeljen e kushtetutës

Në një deklaratë zyrtare, PD kërkon që presidenti të emërojë menjëherë kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që premton mbledhjen me urgjencë të Kuvendit për të dhënë pëlqimin për kandidaturën
Shumica parlamentare akuzoi dje kreun e shtetit se po mban peng dekretimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi tha se prej rreth 2 muajsh, Gjykata Kushtetuese është pa kryetar legjitim, ndërsa ai aktual, Vladimir Kristo, qëndron në atë post në shkelje me ligjin dhe Kushtetutën. “Presidenti nuk ka emëruar kreun e Kushtetueses, proces ky që duhej bërë që në 4 qershor. Ky është një akt i rëndë e i paprecedentë. është një fyerje për Kushtetutën e shtetin ligjor”, u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, gjatë një konference për shtyp. Deputeti demokrat, duke e konsideruar si mjaft të rëndë situatën, në emër të grupit parlamentar demokrat, kërkoi mbledhjen e Kuvendit në urgjencë, për të kaluar dekretin. “Në emër të komisionit të Ligjeve dhe të Kushtetutës i kërkoj Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, institucionit që është garant i Kushtetutës dhe njëkohësisht kërkoj thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij”, deklaroi sekretari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi. Duke e cilësuar si ngjarje shumë të rëndë shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti Topi, Halimi tha se “Kreu i shtetit nuk ka ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor”. “Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar, si dhe nje fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Në frymën e tij ligji dhe Kushtetuta duhet të zbatohen pa kushte, si nga qytetarët dhe nga Presidenti i vendit”, theksoi deputeti democrat, Halimi. Lidhur me nenin 125 të Kushtetutës, ku thuhet se “kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti me pëlqim të Kuvendit, vetëm për një periudhë 3-vjeçare”, deputeti Halimi tha se Topi e ka shkelur rëndë këtë duke krijuar një precedent të rrezikshëm Kushtetues. “Paraardhësi i z. Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar me tej detyrën e tij si gjyqtar. Kushtetuta dhe precedenti kushtetues akuzojnë rëndë Presidentin e Republikës për një shkelje të paprecedentë të tyre”, vuri në dukje deputeti demokrat, Eduard Halimi. Sipas tij, është tepër e rëndë për shqiptarët, të përdoret si justifikim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është fund e krye kompetencë e Presidentit të Republikës.
...