Kushtetuesja, LSI kundër PD-së
Lëvizja Socialiste për Integrim pozicionohet kundër Partisë Demokratike në debatin për dekretimin e kryetarit të ri të Gjykatës Kushte-tuese.
Një ditë pas akuzës publike të PD-së, se kreu i shtetit ka shkelur hapur ligjin themeltar, LSI shprehet se Topi i është përmbajtur Kushtetutës dhe nuk e ka dekretuar më parë emrin e kreut të Kushtetueses, për të zgjedhur fillimisht të gjithë anëtarët e rinj.
Qëndrimi i LSI-së
Nënkryetari i Kuvendit, përfaqësues i LSI-së, Nasip Naço, thotë në një komunikim me mediat, se zgjedhja e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet brenda muajit shtator, pasi të jenë zgjedhur më parë anëtarët, katër prej të cilëve tashmë u ka përfunduar mandati. “Unë besoj se Presidenti nuk i ka kaluar afatet e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Mendoj, që në javët e para të shtatorit kjo do të zgjidhet, krahas kandidaturave të tjera për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe për të zgjedhur midis tyre edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, të mos jetë i detyruar Presidenti të bëjë zgjedhje të sforcuar midis dy kandidatëve që janë atje, por të plotësohet brenda muajit shtator i gjithë numri i anëtarëve të Kushtetueses dhe mes tyre të zgjidhet kryetari që do të ketë cilësi dhe veti më të mira morale dhe profesionale”, - u shpreh Naço. Në të njëjtën kohë ai iu referua nenit 125 të Kushtetutës, duke thënë se edhe kryetari i Kushtetueses qëndron në detyrë, njësoj si anëtari, deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij. “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon deri në emërimin e pasardhësit të tij, siç janë edhe anëtarët e kësaj gjykate. Nuk ka ndonjë rol të madh kryetari i Gjykatës Kushtetuese, për shkak se votën e ka të barabartë me anëtarët e tjerë. Të dyja gjykatat e kanë me ligj, që muajin gusht ta kenë pushim”, - tha më tej Naço.
Pozicioni i PD-së
Nga ana e saj, PD-ja, përmes anëtarit të Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi, përsëriti dje sërish akuzat ndaj kreut të shtetit, duke theksuar se ligji përcakton në mënyrë të qartë, se me mbarimin e mandatit të kryetarit, Presidenti duhet të përzgjedhë një tjetër kandidat për ta zëvendësuar. Në këtë kontekst, Gumi u shpreh se vetë ligji themelor nuk e detyron presidentin të zgjedhë mes 9 anëtarëve, gjë që nënkupton se ai mund ta kishte zgjedhur kreun e ri edhe ndër pesë gjyqtarët me mandat. “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese gëzon mandat tre vjeçar, Kushtetuta dhe ligji nuk bëjnë asnjë situatë tranzitimi të kësaj dispozite në rast se skadon ky afat. Kjo do të thotë se Gjykata Kushtetuese ka kryetarin e saj vetëm për tre vjet dhe asnjë ditë më shumë. Për pasojë, në këtë rast kemi shkelje të Kushtetutës. Ky është përcaktim kushtetues, madje në rastin konkret kur ne kemi ende një shumicë anëtarësh për t’u plotësuar, nuk besoj se duhet të pritet deri sa të përfundojë edhe procesi i përzgjedhjes në Parlament për të caktuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, duke ditur njëkohësisht edhe kompetencat shumë të rëndësishme, që ka kryetari i kësaj Gjykate sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës”, - tha Gumi.