E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të diskualifikohet si anti-globalist reagimi civil?!

REXHEP MEIDANI

E kemi ndeshur këtë lloj diskualifikimi të reagimit qytetar në rastin e projektit tepër luksoz të trenit elektrik gjatë qeverisjes socialiste  (qeverisë Nano). E kemi ndeshur, po ashtu, atë diskualifikim gjatë qeverisjes demokratike (qeverisë Berisha), kur u reagua ndaj projektit të reaktorit bërthamor (të mbështetur nga Italia, ndërkohë që atje, në sajë të kundërshtimit popullor, një projekt i ngjashëm ishte ligjërisht i pamundur). Ndodhi tmerri japonez që euforia ndaj këtij projekti u bë zero, të paktën deri tani! E kemi ndeshur këtë lloj diskualifikimi propagandistik në rastin e reagimit qytetar ndaj importit të plehrave (ku në mbështetje të qeverisë kundër kërkesës së shoqërisë civile u aktivizua dhe pjesa shumicë e KQZ-së), pavarësisht që tani po kalohet në një listë më të reduktuar mbeturinash. E ndeshëm këtë diskualifikim edhe ndaj një antiglobalisti të medias në trajtimin e temës serioze të hidrocentralizimit. Aq më tepër, që për një shtrirje të mëtejshme në të gjithë territorin ajo duhej të ishte shoqëruar me një analizë të thellë e publike për gjetjen e raportit sa më të drejtë: natyrë (turizëm, shëndet etj.) – zhvillim i qëndrueshëm (ku energjia në rritje është pjesë e domosdoshme e tij). Ndoshta, ka dhe shumë shembuj të tjerë, por dhe kaq mjafton për të mos e pranuar, sidomos për të mos e lejuar më tej gëlltitjen e një epiteti të tillë. Prandaj, po ndalojmë këtu!…
Globalizimi nga sipër dhe globalizimi nga poshtë.
Globalizimi ekonomik mishëron në vetvete integrimin e ekonomive kombëtare në një ekonomi globale nëpërmjet tregtisë, investimeve të huaja të drejtpërdrejta (veçanërisht të korporatave e multinacionaleve), rrjedhjeve të kapitalit, transferimit ndërkombëtar të fuqisë punëtore, përhapjes së teknologjisë etj. Natyrisht, ai bashkëshoqërohet nga aspekte të tjera të globalizimit, mbi të gjitha, nga ai kulturor (i afektuar nga globalizimi ekonomik) apo ai i informacionit, komunikimit e telekomunikimit (që është faktor bazë në thellimin e globalizimit ekonomik). Në fakt, kombinimi i institucioneve të Bretton Woods, i shteteve dhe korporatave multinacionale, është dhe thelbi i globalizimit ekonomik apo i globalizimit nga sipër. Veçse, me kalimin e viteve, janë shformuar disa nga synimet dhe idetë e tij. Madje, është rritur trysnia e gjithanshme për të pranuar gjithçka në funksion të fitimit! Për më tepër, në fund të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, elitat drejtuese në mjaft vende janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, gjoja në funksion të zhvillimit, zgjerimit të tregjeve dhe investimeve, në veprimtari të llojllojshme për interesa personale, politike dhe ekonomike. Si rrjedhojë, një gjë e tillë është shoqëruar me pakënaqësi qytetare, me reagim civil. Pra, në sajë të deformimit, jo thelbit të tij, globalizimi është bërë gradualisht objekt sulmi e kritikash të shumta. Paralelisht janë shpalosur edhe filozofi kundërvënieje, shoqëruar me reagime masive. Kështu, ka nisur organizimi i lëvizjeve të ndryshme për të sfiduar këto interesa. Ky lloj reagimi popullor është emërtuar thjesht antiglobalist, dhe përmbajtja e një lëvizjeje të tillë antiglobalizëm apo globalizim nga poshtë…
Antiglobalizëm? Përse?!…
Përse këto reagime e kritika ndaj globalizimit? Çfarë i shqetëson më tepër kritikuesit e tij? Në fakt, mund të veçohen dy grupe, më të dallueshme midis tyre. Kështu, në grupin e parë përfshihen ata kritikues e protestues, që antipatinë ndaj globalizimit e kanë të kushtëzuar me padrejtësitë sociale (sidomos pas kontakteve virtuale me to). Për shumë prej tyre, globalizimi shihet si një shtrirje e kapitalizmit në botë, pa treguar kujdes për aspektet sociale, sidomos në reduktimin e diferencave, tepër të dhimbshme në mjaft vende. Përgjithësisht, ata vijnë nga shtresime intelektuale dhe orientime ideologjike të ndryshme, por edhe pse nuk kanë ide e ndjesi të njëjta midis tyre, shfaqin pakënaqësi të dukshme me ngjyrime: antikapitaliste, antiglobaliste e antikorporative. Angazhimi i tyre është i arsyeshëm dhe, përgjithësisht, pa konflikte fizike e turbullime qytetare. Veçse, normalisht, ata kërkojnë përgjigje publike të kujdesshme dhe të argumentuara. Por edhe veprim rregullues, transparencë, argumentim e korrigjim, jo demagogji e propagandë boshe! Këtë kërkonin, p.sh., ambientalistët në reagimin e tyre ndaj importit të plehrave, këtë kërkonte dhe F. Lubonja për hidrocentralizimin!…
Në grupin e dytë, ku shfaqet qartë dhe aspekti agresiv, shfrytëzohen pakënaqësi shumë më të dukshme dhe masive të ndeshura në procesin e globalizimit, pavarësisht që për disa prej tyre (p.sh, barazia gjinore dhe reduktimi global i varfërisë) prirja ka qenë pozitive në këtë proces. Motiv kryesor për mobilizim në këtë grup është thellimi i mjaft sëmundjeve sociale-ekonomike të ditëve tona, ku në vend të parë është rritja e papunësisë dhe varfëria e theksuar në vendet me të ardhura të ulëta; dhe, krahas tyre, ethja e pasurimit duke lënë tërësisht mënjanë kujdesin për shëndetin dhe natyrën, duke lejuar nëpër botë shkatërrimin e mjedisit, dëmtimin e tokës bujqësore dhe pyjeve, ndotjen e ajrit dhe ujit në botë. Për ta, nuk konsiderohen pa përgjegjësi dhe mjaft institucione me reputacion e peshë ndërkombëtare, si: Banka Botërore – BB (që preokupimin kryesor ka zhvillimin dhe standardin e jetesës), Fondi Monetar Ndërkombëtar – FMN (që merret me stabilizimin e ekonomive të ndryshme, sidomos gjatë krizave financiare), Organizata Botërore e Tregtisë – OBT (që mbikëqyr sistemin botëror të tregtisë dhe liberalizimin progresiv të saj); agjencitë bilaterale të ndihmave, marrëveshjet e ndryshme në fushën e tregtisë si NAFTA etj. Pretendime të tilla kanë qenë, p.sh., ato mbi rolin e BB-së, kushtëzimet e tepruara të FMN-së mbi kontrollin ekonomik dhe marrjen e ndihmave, apo ato të OBT-së për mundësitë tregtare, sepse jo gjithmonë këto kushtëzime kanë qenë të dobishme dhe efektive. Pikërisht për këto arsye, vitet e fundit, këto institucione, gjatë takimeve e mbledhjeve plenare, kanë qenë nën goditje agresive të protestuesve të ardhur nga të gjitha anët e botës. Këto protesta të ashpra kanë qenë, në fakt, një farë taktike guerile. Gjatë tyre me mijëra gazeta dhe televizione raportojnë për kërkesat e protestuesve, por, mbi të gjitha, përcjellin në të gjithë botën reagimin dhe dhunën e ushtruar në teatrin e rrugës.
Në fakt, gjatë protestave të tilla, policia ka përdorur gaz lotsjellës, pluhur apo solucione djegëse për mukozat e frymëmarrjes, plumba druri e gome, shkopinj dhe autoblinda uji, kuaj për të shpërndarë demonstruesit etj. Kështu, p.sh., në mbledhjen e G8, në nëntor 2000, në Montreal, edhe pse ishte parashikuar një protestë festive tepër masive (antiglobaliste), policia, duke i ndarë zonat e demonstrimit në të gjelbra (ku lejohej protestimi), në të verdha (ku nuk lejohej ai, por me mundësi më të vogël konfrontimi dhe rrezik arrestimi) dhe në të kuqe (ku përplasja me policinë ishte e drejtpërdrejtë dhe e ashpër). Pikërisht, në zonën e kuqe, policia e tejkaloi aty mandatin e saj, duke rrahur, dëmtuar, plagosur apo arrestuar një numër të madh protestuesish, duke mundësuar shtimin e radhëve në protestat e mëvonshme. Ndërsa në Gjenovë (2001), pati dhe një qytetar të vrarë me armë zjarri. Përplasje të ashpra kanë ndodhur në Berlin1988, Paris1989, Madrid1994, J18 (1999), Siatëll/N30(1999), Washington A16 (2000), Davos2001, Washington D.C. 2002, Porto Alegre (2002, 2003), Paris 2003, Londër 2004, Bombei 2004, Athinë 2006, Karakas, Bamako e Karaçi 2006, Najrobi 2007, Malmë 2008, Belem 2009, Stamboll 2010, Dakar 2011, etj. Në vend të gjetjes së përgjigjeve të duhura ndaj shqetësimeve qytetare, kri

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›