E Shtunë, 31 Tetor 2026

I prishi 97’shi

Në librin e saj “Koha e pamjaftueshme”, Helena Kadare shpjegon fillimin e armiqësisë ndërmjet Kadaresë e Qosjes.

Në 700 faqe kujtime të shkruara përgjatë 15 viteve të fundit, Helena Kadare tregon jetën që fillon dhe mbyllet me Ismail Kadarenë alias Is (kështu e quan gjatë gjithë kujtimeve ajo), edhe pse në qendër ka një grua.

Mirëpo, në librin e saj të sapopublikuar të Helena Kadare jep edhe një shpjegim të saj lidhur me armiqësinë më të bujshme në botën shqiptare - atë mes Kadaresë e Qosjes.

Sipas saj, gjithçka ka zënë fill në vitin 1997, ose më saktë, me qëndrimin ndaj asaj ngjarjeje. Sipas Helenës, Qosja ishte ngazëllyer asokohe, duke e quajtur atë që ndodhi një ‘revolucion të vonuar demokratik’, ndërkaq Ismaili ishte dëshpëruar, dhe e ka vuajtur shumë atë moment.

I pari, nëpërmjet dy letrave të dërguara në Paris (Helenës i pëlqen të nënvizojë që letrat ishin pa pullë), i kërkon të dytit që të bënte të njëjtën gjë, dmth ta përshëndeste “revolucionin e vonuar demokratik”. Këto letra e kanë nxjerrë nga binarët Ismailin.

“Kish qenë gjithmonë i ftohtë me Qosjen”, por “gëzimin e tij për shkatërrimin e shtetit shqiptar nuk mund t’ia falte kurrë” (frazat në thonjëza janë të Helenës).

Më vonë, autorja e librit rrëfen edhe për një tentim për pajtim mes Qosjes e Ismalilit, të bërë nga poeti e studiuesi, Agim Vinca.

Ky i fundit i shkon në shtëpi Ismailit, dhe fillon të flasë. Por, sapo thotë se “ata të dy, si baballarë të kombit, nuk është mirë të zemëroheshin me shoqi-shoqin”, Ismaili e ndërpret dhe i thotë fjalë fyese:

“Ç’janë këto idiotësira, këto marrëzira, jo baballarë, jo trapër?”

“Agim Vinca mbeti gojëhapur”, thotë Helena, e cila në fund e bën të qartë se Ismaili u pickua nga termi “baballarë”, jo për shkak se kishte gjë me ngarkesën dhe me simbolikën e termit (i pari, më i madhi, më i rëndësishmi, etj), por për shkak se nuk e duronte dot kumtin anagrafik të tij (bacë, i moshuar, i stërmoshuar, plak, etj).

“Nuk dua të dukem as i vjetër, as matuf”, i thotë Ismaili Helenës, pasi Vinca lë vilën e tyre në Malin e Robit. (ResPublica)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›