E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po e vrasim sërish Sejfulla Malëshovën dhe të tjerët si ai?!

TIRANE - Studiuesi Nasho Jorgaqi e tregon fare thjesht zhdukjen përfundimtare të poetit Sejfulla Malëshova. Zhdukjen letrare të tij. Pasi ajo sociale, kishte muaj, vite që kish marrë rrokopujën, teksa funksionari i lartë komunist kish përfunduar në atë magazinën, ku ai peshonte duhanin e fshatarëve. Themi zhdukjen sepse domethënia e jetës së tij kishte mbetur deri aty, at'momentin kur sillte në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri" dorëshkrimet e përkthimeve të tij.

Më shkurt, fundi i tij agoi burokratikisht. Ishte ndërruar ministri i kulturës. Në vend të Ramiz Alisë kishte ardhur Manush Myftiu. Kur i shpjegojnë të tmerrshmit të internimeve se Sejfullai angazhohet sërish, kundërveprimi është i atypëratyshëm: Të ndërpritet menjëherë bashkëpunimi! Për ironi Sejfullai ka qenë vetë i tillë. Por a ka vlerë kjo në ditët tona?! Në aspektin historik-dokumentar po, por në të gjithë aspektet e tjera s'ia vlen më.

Për fatin e tij të keq, Lame Kodra do vdiste i harruar dhe më shumë akoma i mënjanuar krejtësisht nga shoqëria e kohës. Kishte guxuar thjesht të ngrinte zërin dhe të tregonte se e kishin tepruar (edhe ai bashkë me ta) dhe se po bëheshim as më shumë e as më pak, si ata që kishin zëvendësuar. Burimet panegjirike i evidentojnë kundërshtimin ndaj Enver Hoxhës, kurse ato historike evolucionin e tij intelektual, erudicionin, tharmin letrar. E megjithatë, të gjitha ato që sot lidhen me Sejfulla Malëshovën, gati nuk thonë asgjë për brezat e rinj. Kjo për faj të shumë njerëzve, që kur shkruajnë në përshkrimin e një figure nuk dinë të zbardhin me të gjithë thyerjet personazhin e tij. Kështu ka ndodhur me Sejfullain dhe shkrimet për të. Çfarë përfaqëson në të vërtetë ai? A do ishte komunizmi i tij më ndryshe se ai i Enver Hoxhës, nëse do fitonte ajo që ai proklamonte? Cilat janë vlerat e vërteta të letërsisë së tij? A solli risi në përkthim? Këto dhe të tjera ngatërrohen, ashtu si më e koklavitur bëhet vetë jeta e tij dhe fati i intelektualit shqiptar. A ishte viktimë e asaj që bëri vetë me kolegët e tij? Cili do mund të na e thotë sot? Kemi dyshimin se askush. Po. Askush.

Ai është personifikimi i intelektualit që nuk bjerr, por nga ana tjetër që e pëson nga miqtë e vet. Po pse nuk e ha plumbin? Çfarë e shpëton këtë 'martir'? Sërish, themi, se është vetëm një shembull për shqiptarët që tentuan të devijojnë n'atë kohë . Më të egrit kanë marrë plumbin dhe sot nuk u dihet varri, kurse një takëm si ai, që thjesht flet, lihen të vuajnë ashtu. Ndaj, sërish, për intelektualët që shqyrtohen në ditët e sotme, do të duhej të bëhej më shumë në përshkrimin ku mund të përdoret më shumë metodat e krahasimit. Anipse, jeta e Sejfulla Malëshovës e mban të gjithë mundësinë për të përdorur metodikën e duhur ku të shihet metamorfoza e intelektualit shqiptar të shekullit XX. Kjo s'përdoret për askënd. O të këqij ose të mirë! Do ishte krejt ndryshe t'i gjykonim në një udhë tjetër. Njësoj edhe për Lame Kodrën e famshëm. Do ishte nder për të. Nder për historinë e jetës sociologjike shqiptare. Kështu duket se po e vrasim sërish Sejfulla Malëshovën, por këtë herë për të mos e ngjallur më kurrë.

(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›