E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po i vjen fundi qeverisjes sipas formulës së Rambujesë?



Nëse LDK-ja nuk ia bën edhe më të qartë elektoratit të vet se qysh me këto zgjedhje do ta braktisë qeverisjen sipas formulës së Rambujesë, rrezikon shumë, humb vota, humb elektoratin, por e keqja është se kështu humb me të madhe edhe vetë Kosova.

Ka një kohë që qeverisja në Kosovë apo shtetbërja është ngulfatur e njëkohësisht është duke u përcjellë me shumë sfida që seriozisht e vënë në pikëpyetje të ardhmen. Kjo qeverisje deri më tash është bërë sipas formulës së Rambujesë, të gjithë nga pak, e askush krejt! Ose, thënë më qartazi, në kohët më të vështira për Kosovën, gjatë viteve të rënda 1997-1998 e sidomos gjatë vitit të luftës 1999, edhe me ndihmën vendimtare të faktorit politik e ushtarak ndërkombëtar, ishte arritur në një mënyrë bashkimi i faktorit politik e ushtarak shqiptar që ishte në zënka, ngatërresa e përçarje të mëdha. Të kujtojmë se në atë kohë kryeprojektuesit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që, në mënyrë vendimtare e sfidoi makinerinë pushtuese e vrastare të Serbisë millosheviqjane, i dolën kundër grupe politike, individë e madje edhe intelektualë të rangut të lartë, duke akuzuar se me paqe dhe duke u mbështetur në faktorin ndërkombëtar, nuk çlirohet Kosova! Tundimet e brendshme ishin të rënda. Kishin filluar përçarjet e mëdha edhe në masë e ngjarjet tragjike, gati si luftë civile në Shqipëri në vitin 1997, ua futën zjarrin edhe më shumë në Kosovë këtyre përçarjeve. Pas masakrave serbe në Reçak, e sidomos pas qëndresës heroike dhe flijimit biblik të Adem Jasharit me familje në Prekaz, në fillim të marsit të vitit 1998, gjërat sikur ndryshuan radikalisht në dobi të “krahut” të luftës, si quheshin ata që kundërshtonin LDK-në. Fati i shqiptarëve dhe i Kosovës pastaj në fillim të vitit 1999 duhej të vendosej në një Konferencë ndërkombëtare, si ishte ajo e Rambujesë në Francë. E, po ashtu me ndihmën dhe vendosjen ndërkombëtare, në delegacionin e Kosovës atje shkuan bashkë edhe Rugova, edhe Qosja, edhe Hashim Thaçi e Veton Surroi. Pra, ishte kjo mundësia e vetme që të afrohen shqiptarët dhe të nënshkruajnë bashkërisht atë marrëveshje, pas të cilës pasoi ndërhyrja po ashtu e përbashkët e NATO-s në Kosovë. Deri në zgjedhjet e para komunale, parlamentare e presidenciale të Kosovës që u mbajtën në vitin 2000 administrata ndërkombëtare, UNMIK, kishte vendosur në qendër dhe nëpër komuna një qeverisje teknike, gjithëpërfshirëse, gati të përbashkët, po sipas formulës së Rambujesë, të gjithë nga pak, e më shumë “krahu” i luftës. Në zgjedhjet e para të pasluftës bindshëm fitoi LDK-ja me kryetar Ibrahim Rugovën. Por, qeverisja që u vendos pas atyre zgjedhjeve përsëri ishte bërë, me gjasë edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, po sipas formulës së Rambujesë, Rugova u zgjodh në Kuvendin e Kosovës kryetar i Kosovës, ndërkaq Kryeministri, z. Bajram Rexhepi, u zgjodh nga radhët e PDK-së së Hashim Thaçit. Dhe, gjithnjë më vonë, edhe kur LDK-ja i ka fituar po ashtu me shumicë votat, edhe kur e ka pasur votën e elektoratit për të pasur fjalën kryesore në zgjedhjen e Kryeministrit dhe të ministrave të tjerë, gjithnjë kjo parti ka lëshuar pe për të plotësuar formulën qeverisëse sipas Rambujesë. Në fakt asnjë herë deri më tash, gjithnjë pas lufte, LDK-ja, edhe pse, me përjashtim të zgjedhjeve të fundit, fitonte më së shumti vota, nuk e caktoi Kryeministrin nga radhët e veta! Historia do të tregojë se ishte e mirë, apo e keqe, kjo taktikë e LDK-së, që vazhdoi deri në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Tash pozicionim më i qartë programor i LDK-së, nga fillimi në majë

A ka ndryshuar diçka sivjet? Duket se LDK-ja ka ndryshuar diçka për të mirë gjatë fushatës së deritashme për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Së pari shihet qartazi se qeverisja e LDK-së në koalicion me PDK-në, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi më së shumti vota (nga një përqindje relativisht e vogël e votuesve që kishin dalë në zgjedhje, më së paku në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë), është dëshmuar dhe po dëshmohet si një koalicion dhe qeverisje jo e natyrshme. Dhe, si po thuhet tash, ai koalicion e ajo marrëveshje qeverisëse ishte bërë në të mirë të çështjeve, madhore, po e zëmë të çështjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çështjes së aprovimit të Kushtetutës, flamurit, himnit të Kosovës, shpërndarjes së TMK-së e të formimit të FSK-së, të çështjes së decentralizimit e të formimit të komunave multietnike dhe të minoriteteve në Kosovë, çështjes së përcaktimit të vijës kufitare etj., e që të gjitha këto ndodhen gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes PDK-LDK. Por, aktivistët e LDK-së elektoratit të vet duhet t’ia thonë më me zë e haptazi se u menaxhua mirë, apo jo situata e aprovimit të këtyre dokumenteve historike për Kosovën, u menaxhua mirë, apo jo, çështja e pamjes së flamurit të Kosovës, pa shenja të identitetit kombëtar, çështja e decentralizimit, ajo e kufijve të Kosovës me Maqedoninë, tash me Malin e Zi, nesër me Serbinë, çështja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së, çështja e korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, çështja e gjyqësisë, e rrymës elektrike, çështja zhvillimore ekonomike, çështja e doganave etj. Dhe, pastaj të thuhet haptazi se ka ardhur koha e tejkalimit të qeverisjes me Kosovën sipas formulës së Rambujesë. Duam të themi se LDK-ja dhe të gjitha partitë e tjera që synojnë marrjen e pushtetit në Kosovë me anën e votës së qytetarëve, në këto zgjedhje ka edhe pak kohë të japin mesazhe më të qarta se duhet të fitojë programi më i mirë, e jo formula, jo marrëveshjet prapa shpinës së votës dhe prapa shpinës së vullnetit të qytetarëve. LDK-ja e ka shansin në këto zgjedhje komunale të dalë e para, të fitojë më shumë komuna dhe të bind votuesit e vet dhe gjithë qytetarët se në garën e ardhshme për qeverisje qendrore do të hyjë me program të qartë për zhvillimin e Kosovës si është synuar që nga e para: për zhvillimin e Kosovës së pavarur drejt Evropës e NATO-s, por pa e lënduar me korrupsion, krim të organizuar dhe me varfëri të skajshme.

Këto janë zgjedhje mostër, për zgjedhjet e ardhshme për qeverisje qendrore

Pra, me të përfunduar qeverisja sipas formulës së Rambujesë do të krijohej një gjendje më stabile politike, një qeverisje pozitë e qëndrueshme me shumicë, dhe opozitë aktive, si një korrektor po ashtu i qëndrueshëm shoqëror. Kështu ndodh në të gjitha vendet e botës demokratike. Për këto e shumë arsye të tjera mendojmë se elektorati në Kosovë sivjet ka shumë arsye që të dalë masovikisht në zgjedhje, që të vendosë me votën e vet qeveritarët e ardhshëm komunalë, por se pikërisht këto zgjedhje janë uverturë, derëçelës dhe matës i mirë i situatës çfarë do të pasojë gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në vitin 2011.

Nëse LDK-ja nuk ia bën të qartë elektoratit të vet se qysh me këto zgjedhja do ta braktisë qeverisjen sipas formulës së Rambujesë, rrezikon shumë, humb vota, humb elektoratin, por e keqja është se kështu humb diçka të madhe edhe Kosova.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›