E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i Tiranës, rrugët që do të kenë korsi të veçanta për biçikleta dhe urbanë



Disa rrugë në kryeqytet do të kenë korsi të veçanta për qarkullimin e biçikletave dhe urbanëve. Në Planin Rregullues të Tiranës është përcaktuar që Rruga e Kavajës, e Durrësit, rruga “Mine Peza”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri” si akse problematike dhe me trafik, do të kenë korsi të caktuara vetëm për transportin publik dhe biçikletat. Plani merr parasysh që të gjithë ata që dëshirojnë të ecin me biçikletë nëpër qytet, do të mund ta shfrytëzojë këtë mundësi së shpejti. Po ashtu, ata që do të duan të përdorin shërbimin urban për të vajtur në punë apo për të përfunduar detyrimet e tyre gjatë ditës, do të mund të arrijnë më shpejt, duke përdorur korsinë e destinuar për ta.

Autobusi është një mjet që përdoret nga të gjithë, ndaj edhe rrjeti urban meriton pikërisht një ridimensionim dhe një zhvillim racional. Për këtë arsye, në kuadër të masterplanit të transportit, Bashkia e Tiranës ka hartuar projektin e korsive të rezervuara për shërbimin urban dhe biçikletat. Projekti përfshin rrugët kryesore të qytetit si Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, rruga “Mine Peza”, bulevardi “Zhan d’Ark” dhe “Bajram Curri” si dhe disa akse problematike të trafikut, në kryqëzimet e këtyre rrugëve.

Me anë të këtij projekti synohet që të bëhet një rikonceptim i seksioneve të rrugëve, i kryqëzimeve si dhe një vendosje e trafikndarësit në rrugët ku ai mungon. Gjithashtu, kërkohet sistemimi i lëvizjes së këmbësorëve, duke ulur trotuaret në nivelin e rrugës, në të gjitha pikat e përmendura më sipër, vendosja e kangjellave dhe barrierave, për të mundësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe sigurinë e tyre. Ndërkohë që do të ketë sinjale të ndriçueshme për të evidentuar kalimet e këmbësorëve, elemente sigurie për të verbrit dhe vendosje e sinjalistikës elektronike, e cila do të shërbejë për t’i dhënë përparësi sistemit bus apo përdorimit të biçikletave.

Të gjitha këto elemente janë pjesë e planit të ri të qarkullimit të qytetit, që do të bëjë të mundur lehtësimin e lëvizjes, kryesisht për këmbësorët. Po ashtu, ky plan ka si qëllim një menaxhim më të mirë të trafikut në qytet, rritjen e sigurisë së rrjetit rrugor, rritjen e sigurisë për përdoruesit e biçikletave, forcimin dhe zhvillimin e transportit publik, lehtësimin e trafikut si në rrugët kryesore por edhe në ato dytësore, riorganizimin e kohës dhe orareve në qytet, pra në njëfarë mënyre, sigurimin dhe kultivimin e të gjitha atyre praktikave të mira që favorizojnë dhe përbëjnë të ardhmen e lëvizshmërisë në kryeqytetin tonë. Projekti për të cilin pritet që së shpejti të nisë edhe procesi i tenderimit, përveçse përcakton korsitë e rezervuara bus dhe biçikletë, është dhe një projekt mjaft efikas për një mirëmenaxhim të trafikut kryeqytetas dhe rritjen e sigurisë rrugore në të.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›