METE: ARMO, pak detyrime ndaj shtetit
Detyrimet që kompania ARMO ka ndaj shtetit janë të pakta. Ministri Prifti ka hedhur poshtë zërat se kompania ARMO ka shifra të larta borxhi ndaj shtetit. Në konferencën e djeshme, ministri Prifti sqaroi se ato pak borxhe që kompania ARMO ka ndaj kompanisë “Albpetrol”, është duke i shlyer. “Detyrimet më të mëdha të saj janë ndaj “Albpetrolit”, të cilat janë të mbetura në kohë. “ARMO ka marrë përsipër që t’i paguajë të gjitha ato dhe është vënë në rrugën e zgjidhjes së çështjes në fjalë. Drejtori i ri ka filluar negociatat me drejtorin e ARMO-s dhe më është thënë se kanë arritur në marrëveshje konkrete”, - citoi Prifti lidhur me këtë. Po kështu, dy ditë më parë edhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, në një dalje publike bëri të ditur se kompania ARMO ka shlyer detyrimet ndaj administratës tatimore. Lidhur me problemin e vendosjes së matësve tatimorë në repartet e ndryshme të uzinës së Ballshit, drejtori i Tatimeve vuri në dukje se në atë objekt ekzistojnë matësit, por ata janë tepër të vjetruar. Tatimet kanë rënë dakord me firmën ARMO që të vendosin 80 matës të rinj të gjeneratës së fundit, me anë të të cilëve do të bëhet e mundur të raportohet 24 orë në 24 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sasia e naftës hyrëse dhe dalëse, duke bërë të mundur që përfundimisht kompanisë t’i jepet certifikata e subjektit me magazina tatimore të mallrave të akcizës, në përputhje me kërkesat e ligjeve të reja mbi procedurat tatimore, - vuri në dukje ai. Këta matës do të blihen nga firma. Kreu i Tatimeve pohoi se rezultatet e fundit të administratës fiskale nuk pritet të jenë të mira në raport me planifikimin buxhetor, por, gjithsesi, të ardhurat rezultojnë rreth 9 për qind më të larta se një vit më parë në të njëjtën periudhë, që nuk është gjë e vogël, duke pasur parasysh situatën e vështirë të ekonomisë globale.
Energjia, 2 miliardë lekë fond kontigjence për rritjen e çmimit
Nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin që vjen, qeveria ka menduar në këtë rast për familjet në nevojë. Një fond i posaçëm nga buxheti i shtetit 2010 do të përdoret për kompensimet e këtyre familjeve. Kjo u bë e ditur dje nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ministri bëri të ditur se qeveria ka parashikuar në buxhetin 2010, një fond kontigjence për efektin e rritjes së këtij çmimi. “Konkretisht, do të jetë një shumë prej 2 miliardë lekësh si fond kontigjence i parashikuar në buxhetin e shtetit, nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë, për të kompensuar përmes tij të gjitha shtresat në nevojë”, - ka sqaruar lidhur me një fakt të tillë ministri Prifti.