A po "e dojnë" Prishtinën ekipet shqiptare?!
.jpg)
Klubet e futbollit në Shqipëri janë dakord që FK Prishtina dhe ndonjë klub tjetër kosovar të regjistrohen dhe të luajnë në kampionatin shqiptar. Sipas tyre, një gjë e tillë do sjellë veçse të mira, pasi do të rriteshin konkurrenca, shikueshmëria dhe ana financiare.
Por jo të gjitha pranojnë që klubi më i madh kosovar të nisë aventurën në Shqipëri nga kategoria më e lartë, ajo Superiore. Klubi më i trofeshëm në Shqipëri, Tirana, bashkë me Laçin e Shkumbinin, janë tri skuadrat e Superiores që kanë kërkuar zbatim të përpiktë të rregulloreve, që i bie se Prishtina mund të nisë të luajë në kampionatin shqiptar vetëm nga kategoria më e ulët, ajo e treta. Po ashtu, kundër ngritjes së menjëhershme, janë shprehur edhe dy skuadra të kategorisë së dytë, Partizani dhe Lushnja.
"Nuk është çështje meritokracie, pasi si Prishtina dhe Trepça teorikisht do ishin për Superiore, por ne nuk mund të injorojmë zbatimin e njëllojtë të rregulloreve. Në të kundërt edhe Tirana B, për organikën që do të ketë, nuk ka arsye që ta nisë aventurën nga Kategoria e Tretë", ka thënë për "Panoroma Sport", administratori i klubit Tirana, Sali Tagani.