A po rikonceptohet Eurozona

Kriza politike dhe ekonomike në Itali inicioi supozimet për ndarjen e Eurozonës në dy blloqe: në njërin, pjesë e të cilit do të ishin shtetet e pasura të BE’së, dhe në tjetrin, ky do të hynin të gjitha shtetet e tjera që kanë nevojë për mjete financiare për shpëtimin e tyre.
Kriza nxiti madje edhe presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, që të merret me rreziqet që i sjellë me vete ndaja eventuale në dysh e Eurozonës. Agjencia Reuters shkruan se zyrtarët francezë dhe gjermanë tashmë po e negociojnë një skenarë të tillë.
"Nuk mund të ketë qetësi e as përparim në veri dhe në perëndim të Evropës, po qe se nuk ka qetësi dhe përparim në jug ose në lindje të saj”, deklaroi Barroso.
Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi të mërkurën se pozita e Evropës në këtë moment është aq “e pakëndshme”, saqë asaj i duhen reforma të menjëhershme strukturore. Ajo, madje, tërhoqi vërejtjen se pjesa tjetër e botës nuk do të pres Evropën që të rimëkëmbet.
Më shumë, e jo më pak Evropë
"Kjo do të nënkuptonte më shumë, e jo më pak Evropë”, sqaroi ajo gjatë konferencës me gazetarë në Berlin.
Në të vërtetë, kancelarja Merkel kërkoi ndryshimin e marrëveshjeve të Bashkimit Evropian menjëherë pasi që presidenti francez Sarkozy përmendi mundësinë e krijimit të dy blloqeve evropiane.
Sipas presidentit Sarkozy, në njërin do të hynin shtetet e Eurozonës që e përshpejtojnë dhe e thellojnë integrimin, përderisa shtetet jashtë Eurozonës do të mbeteshin më pak të lidhura me të. Kjo deklaratë e tij u interpretua si mundësi për braktisjen e euros nga disa shtete.
"Tani është koha për një avancim drejt një Evrope të re”, theksoi Merkel të mërkurën, duke sqaruar se shoqëria (evropiane) nuk do të mund të mbijetojë, po qe se thuhet se themelet e saj nuk mund të ndryshohen pavarësisht asaj se çfarë ndodhë në pjesën tjetër të botës.
Këtyre ditëve Italia e zëvendësoi Greqinë si top temë e qendrës së krizës ekonomike, pasi insistimit të kryeministrit italian në largim Silvio Berlusconi, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend, në vend të arritjes së një marrëveshjeje për krijimin e një qeverie kalimtare. Kjo gjë do të mund të prodhojë një jostabilitet të ri në Itali.
Banka Qendrore Evropiane, që në këtë moment është organi i vetëm që mund të luftojë kundër sulmit ndaj tregjeve, raportohet të ketë blerë sasi të mëdha të obligimeve italiane, edhe pse ndërkohë duket se ka ngadalësuar këtë aksion. Si rrjedhojë, obligimet (borxhet) 10-vjeçare të Italisë tashmë kanë kaluar 7-përqindëshin, gjë që paraqet një nivel kur ato bëhen të papagueshme, dhe kur investitorët humbin durimin e tyre.
Mos po fundoset Evropa brenda “një dekade të humbur”?
Pasi që humbi shumicën në parlament, Berlusconi paralajmëroi se do të japë dorëheqje, menjëherë pasi të miratohen reformat që BE’ja i kërkoi nga ai. Berlusconi po ashtu shtoi se, pastaj, italianët duhet të dalin në zgjedhje, megjithëse ai nuk do të kandidojë në to. Presidenti italian, Giorgio Napolitano, gjithashtu pohoi se, nuk ka dyshim që Berlusconi do të tërhiqet disa ditë pas miratimit të masave ekonomike.
"Pas kësaj, brenda një afati të shkurtër kohor, do të miratohet qeveria e re, ose do të shpërbëhet parlamenti dhe do të fillohet me fushatë”, tha Napolitano.
Por, edhe pas shkuarjes së njeriut që ishte sinonim i skandaleve dhe i premtimeve boshe, italianët do ta kenë shumë vështirë të bindin tregjet se do të mund të ulin borxhin e tyre enorm, të liberalizojnë tregun e punës dhe të rrisin produktivitetin.
Në fakt, ekziston frika se kriza e kredive tani do të fillojë të gërryejë edhe vetë thelbin e Eurozonës. Politikanët jashtë Eurozonës po vazhdojnë të bëjnë presion për ndërmarrjen e hapave konkretë për ndalimin e zgjerimit të krizës jashtë saj. Gjatë një forumi financiar në Pekin, kryetarja e FMN’së, Christine Lagarde, deklaroi të mërkurën se kriza kreditore në Eurozonë mund të rezultojë me “një dekadë të humbur”.
"Po qe se nuk veprojmë së bashku, shpejtë dhe guximshëm, ekziston rreziku që ekonomia botërore të hyjë brenda një spiraleje të pasigurisë, të jostabilitetit financiar dhe, potencialisht, një katastrofe globale të kërkesës”, theksoi Lagarde.
Berlusconi shumë shpesh e përsëriste se FMN mund t’i mbikëqyrte reformat italiane. Problemi është se tani po rritet frika se fondi evropian për shpëtimin e ekonomive të rrezikuara nuk do të mjaftonte për konsolidimin e borxhit italian, i cili llogaritet të jetë 1.9 bilionë euro.
Integrim më i madh, me më pak shtete në Eurozonë
Agjencia Reuters pohon se zyrtarët francezë dhe gjermanë qysh tani po debatojnë për ndryshime radikale brenda Bashkimit Evropian, të cilat do të duhej të rezultonin me integrimin e Eurozonës, e cila – potencialisht - do të ishte më e vogël. Gjatë këtyre bisedimeve duket se po rritet mundësia që një ose më shumë shtete ta braktisin Eurozonën, dhe që, paralelisht, thelbi i saj të fuqizohet edhe më shumë.
Barroso ka tërhequr vërejtjen se, po qe se do të zvogëlohej Eurozona, bruto prodhimi gjerman do të mund të binte për tre përqind dhe se, si pasojë, do të humbeshin disa miliona vende të punës. Sipas Barroso’s, një integrim më i fuqishëm i Eurozonës nuk do të guxonte të bëhej duke krijuar një ndarje edhe më të madhe mes shteteve të BE’së.