A rrezikohet njerëzimi nga një Luftë e III Botërore?!
Pas mbarimit të Luftës se I Botërore në nëntor të 1918-s, opinioni botëror sikur u shpreh se ky do të ishte fundi i këtij akti të shëmtuar e gjakatar dhe se nuk do të ekzistonin më arsye ose konflikte që do të çonin drejt një lufte tjetër në të ardhmen. Të shtyrë nga një premtim që ishte dhënë për një të ardhme të sigurt dhe nga presioni i masave të gjera u krijua në Konferencën e Paqes në Paris “Lidhja e Kombeve”, si organizata e parë e përgjithshme politike me karakter të përhershëm, me mison primar ruajtjen e paqes dhe sigurisë ne botë. Në këtë mënyrë u krijuan shpresa të rreme se duke filluar nga ajo kohë, të gjithë agresorët do të parandaloheshin ose do të ndëshkoheshin nga shtetet kryesore anëtare të lidhjes. Në çështjen e ruajtjes së paqes dhe të rendit dhe të rendit “Lidhja e Kombeve” në fillim ka pas shënuar disa rezultate pozitive, por më vonë në rastet ku shpërthyen konflikte akoma më të rënda, kjo organizatë u tregua e paafte për të mbrojtur paqen dhe sigurinë. Konkretisht “Lidhja e Kombeve” nuk arriti dot të zgjidhte konfliktet ndërmjet Japonisë dhe Kinës, Italisë dhe Etiopisë, Gjermanisë dhe çekosllovakisë. Pikërisht si pasojë e këtyre dështimeve për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore në shtator të 1939 u krijuan kushtet dhe rrethanat për fillimin e Luftës së II Botërore. Edhe pas mbarimit të saj u zhvillua një luftë pa një ballafaqim të dhunshëm ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik e njohur në histori me termin “Lufta e Ftohtë” që startoi fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e cila e bëri njerëzimin e asaj kohe t’i druheshe shpërthimit të një lufte të tretë botërore që do të kishte përmasat e një lufte bërthamore. Politikat e matura të ndjekura nga presidentët amerikan si Xhon Kenedi dhe Ronald Regan por gjithashtu edhe nga liderët me karakter disi liberal të Bashkimit Sovjetik si Nikita Hrushov dhe Mikhail Gorbaçov bënë të mundur që kjo luftë të ruante epitetin ose mbiemrin e saj “e ftohtë. Pas mbarimit të “luftës së ftohtë që u shoqërua me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në botë u krijua një atmosferë e re paqedashëse dhe demokracia arriti kulmin e fitores me konsolidimin e saj edhe në vendet e ish-bllokut komunist.Tani u bë e qartë se bota po drejtohej drejt një rruge të re unifikuese nën frymën e demokracisë dhe paqes.
Pikërisht kjo sintezë historike e ngjarjeve më kryesore që pasuan shekullin XX për të vijuar me analizimin e ngjarjeve që po ndodhin në shekullin tonë do të na ofrojë një ide më të qartë për t’iu përgjigjur pyetjes se “A rrezikohet njerëzimi nga një ‘Luftë e Tretë Botërore”. Kohët e fundit kemi parë se si SHBA-ja dhe Rusia kanë shkembyer spiunët ndermjet tyre.... Kjo na bën të mendojmë dhe të pyesim veten se “A ka mbaruar me të vërtetë “Lufta e ftohtë apo po zhvillohet akoma nën hundët tona”! Nga ana tjetër disa shtete si Irani, Koreja e Veriut kanë nisur programet e tyre bërthamore dhe zhvillojnë teste duke testuar raketa me rreze të gjatë me mbushje bërthamore. Venezuela e cila në prill të 2010 bleu 5 miliardë dollar armë nga Rusia duke rritur arsenalin e saj ushtarak, konkretisht tanke dhe avion luftarak, po shfaq një karakter të egër dhe armiqësor ndaj fqinjit të saj Kolumbisë, madje këtë të diel presidenti Hugo Chavez ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Kolumbinë duke deklaruar se shteti i tij do të ndalojë eksportimin me naftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qoftë se do të ketë një sulm ushtarak si rrjedhojë e përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Kolumbisë dhe Venezuelës. Ai gjithashtu theksoi se do të merren masa ekstreme kundër opozitës dhe medias në rast lufte. Chavez akuzoi zyrtarët opozitarë se po bashkëpunojnë me ushtrine kolumbiane. Me deklarata të tilla Hugo Chaves po krijon një “fuçi baruti” në Amerikën Latine e cila mund të shpërthejë nga momenti në moment. Në anën tjetër të planetit konkretisht në Azi tensioni ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut është përshkallëzuar deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, duke mos i kursyer deklaratat kërcënuese ashtu si Venezuela. Shteti i izoluar komunist u zotua me një përgjigje "fizike" ndaj stërvitjeve masive ushtarake të Koresë së Jugut dhe SHBA-së të cilat u zhvilluan këtë të diel. Departamenti i mbrojtjes i SHBA-së u shpreh se stërvitjet janë një përgjigje të fundosjes së luftanijes së Koresë së Jugut “Cheonan “dhe kanë për qëllim për të dërguar një mesazh të fortë për të Penhian për të ndaluar "aktet provokuese me karakter luftarak". Në një konferencë të sigurisë rajonale, Koreja e Veriut sulmoi ashpër këtë stërvitje të përbashkët. “Do të ketë një përgjigje fizike kundër kërcënimeve të vendosura nga ushtria e SHBA-së," u shpreh zëdhënësi i Koresë së Veriut Ri Tong. Një tjetër shtet në Azi i cili po kërcënon botën me programin e vet bërthamor është edhe Irani, ashtu siç e theksuam më sipër. Megjithëse Irani është shprehet se programi i tij është me karakter paqësor, çka do të thotë se fuqia bërthamore do të përdoret vetëm për nevoja energjetike dhe jo për prodhim armësh të shkatërrimit në masë, fuqitë e mëdha si SHBA-ja, Britania, Rusia etj.. janë skeptikë për këtë aludim. SHBA-ja është e bindur se Irani është duke prodhuar armë nukleare, madje burime nga sherbimi sekret amerikan kanë bërë të ditur se ajo mund t’ua shesë këto armë terroristëve. Mesa duket sanksionet e vendosura nga OKB-ja dhe BE nuk po japin efekt për të penguar aktivitetin bërthamor të Iranit. Mjaft interesante është shfaqja pas katër vitesh e ish liderit kubanez Fidel Kastro i cili u shpreh me një deklaratë intriguese se një luftë shkatërruese eshtë në derë, në qoftë se SHBA-ja në aleancë me Izraelin përpiqet për të zbatuar sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit për aktivitetin bërthamor, apo nëse SHBA-ja do të sulmojë Korenë e Veriut.
Siç duket qartë koha në të cilën po jetojmë është e mbushur plot me konflikte të rënda dhe rrjedhimisht pyetja që lind është: -A mundet që këto konflikte që ekzistojnë sot ndërmjet këtyre shteteve ta çojnë botën drejt një Lufte të Tretë Bërthamore? Kjo është një pyetje mjaft e vështirë për t’u përjigjur dhe vetëm koha është në gjendje të na japë një përgjigje të saktë rreth kësaj pyetje. Ne vetëm duhet të shpresojmë që budallëku i njeriut në këtë shekull të mos jëtë më i madh se universi ashtu siç ka qënë në shekujt që lamë pas.