Meta-Gruevski: Vullnet dypalësh për forcimin e dialogut politik

Zëvendëskryeministri Ilir Meta takon në Shkup krerët më të lartë të shtetit maqedonas, përsërit kërkesën e shtetit shqiptar për respektimin e marrëveshjes së Ohrit
Në vijim të takimeve me personalitetet e larta politike të Maqedonisë, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta është pritur sot kryeministri, Nikola Gruevski. Kryediplomati shqiptar i përcolli Gruevskit përshëndetjet e kryeministrit Berisha dhe përsëriti vullnetin e tij për një vizitë zyrtare në Shkup në një periudhë të afërt. Gjatë takimit, zv/kryeministri Meta shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të zhvilluar me Maqedoninë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim të gjithanshëm, si dhe theksoi nevojën e ruajtjes dhe forcimit të dialogut politik ndërmjet dy vendeve nëpërmjet realizimit të vizitave e takimeve zyrtare periodike në nivelet më të larta. Edhe këtë vizitë, z. Meta e cilësoi si shprehje të angazhimit e vullnetit të Shqipërisë për të realizuar një bashkëpunim politik pozitiv që do të shërbejë si nxitje edhe për një bashkëpunim më të suksesshëm në fusha konkrete. Në këtë kuadër, z. Meta dhe z. Gruevski, ranë dakord për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe angazhimin në projekte të përbashkëta, veçanërisht në infrastrukturë, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, kulturës dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë, si dhe për hapjen e pikave të përbashkëta kufitare e doganore. Të dy bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë për mbajtjen sa më shpejt të komisioneve të përbashkëta ekonomiko-tregtare, për zgjidhjen e incidenteve kufitare, mirëmbajtjen e shenjave kufitare, menaxhimin dhe shfrytëzimin e ujerave, përfshirë këtu edhe Liqenin e Ohrit. Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Meta përshëndeti progresin e Maqedonisë në drejtim të integrimit evropian, liberalizimin e vizave me BE-në, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Meta theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si garanci për sigurimin e stabilitetit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm, si dhe mbështet gjithashtu integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë. Duke çmuar bashkëpunimin e suksesshëm rajonal, zv/kryeministri Meta bëri një vlerësim të veçantë për hapin e guximshëm që Maqedonia bëri duke njohur shtetin e ri të Kosovës dhe duke zgjidhur çështjen e kufirit me të, një hap jo i lehtë në atë kohë, por që sot, pas opinionit të GJND-së, duket qartë se ka qenë veprimi i duhur politik i cili ka krijuar një bazë solide legjitimiteti. Në përfundim, z. Meta ripërsëriti bindjen se opinioni i GJND-së ndihmon forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke ritheksuar se në mënyrë të veçantë do të ndihmojë edhe Serbinë për të parë drejt së ardhmes dhe për të punuar drejt kësaj të ardhmeje evropiane.
E ardhmja e Ballkanit është BE-ja dhe aplikimi i standardeve europiane
Kyediplomati shqiptar Ilir Meta i ka tërhequr vëmendjen qeverisë së Maqedonisë që të tregohet e kujdesshme në respektimin e përpiktë të marrëveshjes së 2001-shit, që solli paqen ndëretnike në Maqedoni. Gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Miloshoskin, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta ka deklaruar se cenimi i marrëveshjes së Ohrit, nuk garanton integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike dhe as siguron paqen ndëretnike. “Ne mbështesim plotësisht dhe fuqimisht, implementimin e plotë dhe efikas të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje që ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit të Maqedonisë dhe në avancimin e agjendës së saj euro-atlantike dhe evropiane. Qeveria shqiptare beson se kjo marrëveshje është kuadri më i mirë për të forcuar më tej bashkëjetesën e komuniteteve etnike këtu, për të realizuar më tej të drejtat e komunitetit shqiptar por natyrisht edhe për të afruar edhe më tepër vendin tuaj me Bashkimin Evropian”, deklaroi kryediplomati shqiptar Ilir Meta. Duke i kujtuar homologut të tij maqedonas, se Shqipëria po tregon kujdesin më të madh për pakicat etnike, duke u fokusuar te minoriteti maqedonas, Meta i kërkoi Milloshovskit që të njëjtën gjë të implementojë edhe shteti fqinj. “Shqipëria ka treguar dhe do vazhdojë të tregojë se është e vendosur të garantojë standardet më të larta evropiane për pakicat etnike në vend, dhe natyrisht edhe për pakicën maqedonase që gëzon dhe do gëzojë të gjitha të drejtat e saj. Ne mendojmë se e ardhmja e Ballkanit është Bashkimi Evropian dhe aplikimi i standardeve evropiane për pakicat kudo”, deklaroi më tej, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Meta - Veljanovski
Parlamentet kontribut të rëndësishëm në nxitjen e proceseve integruese mes dy vendeve
Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Shkup, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, është takuar me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski. Meta vlerësoi bashkëpunimin që po realizohet ndërmjet dy Parlamenteve duke vënë në dukje nevojën për rritjen dhe zgjerimin e kontakteve dhe institucionalizimin e takimeve të përvitshme të Kryetarëve të Parlamenteve të të dy vendeve. Gjatë takimit u vlerësua se Parlamentet mund dhe duhet të japin një kontribut të rëndësishëm në nxitjen dhe përparimin e proceseve integruese të të dy vendeve tona, pasi janë pikërisht këto institucione që miratojnë legjislacionin e nevojshëm për t’u anëtarësuar në institucionet euro-atlantike. Të dy palët vlerësuan se në interes të këtyre proceseve, por edhe të dialogut të gjithanshëm politik, duhet të intensifikohen kontaktet ndërmjet Komisioneve Parlamentare të Politikës së Jashtme dhe Integrimit të të dy vendeve. Meta vlerësoi gjithashtu veprimtarinë e Parlamentit maqedon për miratimin e ligjeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe shprehu besimin për vazhdimësinë e angazhimit në miratimin e të gjithë kuadrit ligjor që buron nga kjo marrëveshje, për të siguruar zbatimin e plotë të saj. Në këtë kontekst, duke bërë një vlerësim të veçantë për opinionin e GJND-së, Ilir Meta përshëndeti edhe miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Kosovën dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend fqinj, duke i cilësuar këto si veprime në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Meta-Ivanov
Siguria dhe stabiliteti në rajon janë në proces konsolidimi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Shkup, është takuar me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Gjatë takimit u diskutua mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh, të zhvillimeve në rajon dhe të proceseve integruese në BE dhe NATO. Meta dhe Ivanov vlerësuan nivelin e marrëdhënieve dhe shkallën në rritje të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Në këtë kuadër u vlerësua bashkëpunimi në nivelin më të lartë politik, për të cilin kanë kontribuar edhe takimet e rregullta të Presidentëve të dy vendeve. Të dy palët shprehën gatishmërinë që ky bashkëpunim të forcohet edhe më tej në të ardhmen. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet në rajon. Të dy bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se siguria dhe stabiliteti në rajon janë në konsolidim, duke theksuar se një rajon në paqe, në mirëkuptim dhe bashkëpunim në rritje, ofron garanci dhe perspektiva të përbashkëta për integrim në BE dhe NATO. Në këtë kuadër, Ilir Meta vlerësoi vendimet e Maqedonisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për zgjidhjen e çështjes së kufirit me të, drejtësia e të cilave u konfirmua edhe nga opinioni i GJND-së. Në përfundim, Meta dhe Ivanov shprehën vullnetin e përbashkët për të kontribuar në rritjen e investimeve infrastrukturore dhe për të lehtësuar shkëmbimet reciproke në të gjitha fushat me interes.
...