E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK fajëson LDK’në

PDK dënon incidentin,

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në konferenca për media, kanë dënuar incidentin e dhunshëm në Banjë të Pejës.

Zyrtarë të PDK-së kanë thënë se ky incident ishte ndërmjet komisionarëve të LDK-së dhe AAK-së, ndërkaq zyrtarë të AAK-së kanë thënë se incidentin e shkaktuan njerëz të LDK-së, të cilët sipas tyre, kanë votuar në emër të personave të vdekur.

Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së, Bujar Lybeniqi, ka ftuar qytetarët e Istogut të marrin pjesë në mënyrë masive në procesin zgjedhor dhe t’ia besojnë votën kandidatit që ka premtuar se do t’i realizojë kërkesat dhe nevojat e istogasve.

Ai ka dënuar incidentin e Banjës duke apeluar te subjektet politike që t’iu shmangen veprimeve që çojnë drejt tensionimit të procesit zgjedhor.

“Ne e dënojmë fuqishëm aktet e sotme që kanë ndodhë në Banjë të Pejës, rrahja që ka ndodhë mes komisionarëve të LDK-së dhe AAK-së. Ju themi me bindje të plotë se koha e qasjeve të dhunshme ndaj proceseve zgjedhore ka kaluar”, është shprehur Lybeniqi, transmeton Kosovapress.

Ndërsa Donika Kada-Bujupi në një konferencë për media në selinë e AAK-së ka fajësuar komisionarët e LDK-së për incidentin në Banjë.

“Ky është një incident i shkaktuar prej militantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë votuar në emër të personave të vdekur që nuk janë fshirë nga lista e votuesve”, ka thënë Kada-Bujupi.

Ajo ka ftuar Policinë e Kosovë që të jetë në krye të detyrës dhe të mos lejojë, siç ka thënë, që të “klinizohet Istogu”, duke aluduar në problemet në komunën e Klinës në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›