Jahjaga dorëzon detyrën në polici
Pas zgjedhjes në krye të shtetit, Atifete Jahjaga ka dhënë dorëheqje nga funksioni i zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme për operativë në Policinë e Kosovës.
Në shenjë nderimi për punën që ka bërë në Policinë e Kosovës, presidentja e re e vendit Atifete Jahjaga është nderuar me mirënjohje dhe medalje nga ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Reshat Maliqi.
Atifete Jahjaga është zgjedhur dje presidente në rrethin e parë të votimit në Kuvendin e Kosovës, duke marrë 80 vota përballë Suzanë Novobërdaliut që ka marrë vetëm dhjetë vota nga gjithsej 100 deputetë të pranishëm, derisa dhjetë fletëvotime ishin të pavlefshme.
Zgjedhja e presidentit të ri të vendit vjen pasi që Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj konstatoi se zgjedhja e Behgjet Pacollit më 22 shkurt ishte jo kushtetuese.
Jahjaga (36) ishte e nominuar nga partnerët e koalicionit qeverisës PDK-AKR dhe partisë më të madhe opozitare, LDK, të cilat arritën marrëveshje për daljen e vendit nga kriza politike.