E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlusconi: Prokurorët do të turpërohen

Nga Express më 09 prill 2011 në ora 08:08

Dita e parë e gjykimit të kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, zgjati vetëm shtatë minuta. Pas shqyrtimit të formaliteteve, fillimi i procesit u caktua, ose - siç argumenton shumëkush – u shty për fund të muajit maj. E, ky është vetëm njëri prej proceseve kundër kryeministrit italian.

Vendimi për shtyrjen e fillimit të procesit u soll pa praninë e kryeministrit Berlusconi, ndërkohë që atë ditë mungoi edhe Rubi, prostituta marokene me të cilin, siç thuhet në aktakuzë, kryeministri kishte pasur marrëdhënie seksuale derisa ajo ishte e mitur. Kryeministri italian po gjykohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por, një aktakuzë e tillë s’ka të bëjë vetëm me këtë proces, sepse kryeministrin italian e presin edhe gjykime të tjera, të cilat gjatë viteve të kaluara ai ia doli t’i shmangte. Si për shembull, rastin e dhënies së mitos një avokati gjatë procesit që po zhvillohej kundër koncernit të tij medial. Berlusconin e pret edhe gjykimi për shkeljen e ligjit për pagesën e tatimit gjatë shitjes së të drejtave filmike, nga e cila gjë ai kishte fituar të paktën 470 milionë euro. E, përveç gjithë kësaj, mbi të rëndon edhe akuza e vjetër për lidhjet e tij me mafinë, me qëllim të ndikimit në politikë dhe drejtësi.

Nga popullata italiane lidhur me këtë gjë mund të dëgjohen gjithfarë rrëfimesh. Berlusconi, nga ana tjetër, ka edhe përkrahësit e tij besnikë, të cilët u panë edhe para Pallatit të Drejtësisë, për t’i dhënë atij mbështetjen e tyre. Udhëheqës i këtij grupi, e njëkohësisht edhe organizator i mitingut mbështetës për kryeministrin, është Giovani Esposito.

“Kjo është një gjueti mbi Silvion. Ata dëshirojnë që ta rrëzojnë, dhe këtë duhet të tentojnë ta bënë para zgjedhjeve. Por, kjo nuk është mënyrë e mirë”, thotë ai.
Të tjerëve u vije turp nga veprimet e këtij kryeministri, të cilit ia besojnë asnjë fjalë. Vetë Berlusconi edhe më parë ia dilte që të përbirohej disi nga telashet, kryesisht përmes tërheqjes “në prapavijë”, megjithëse tani po shfaqet shumë më ofensiv.

“Unë do të jem në pushtet edhe më tutje, por edhe do të mbrohem. Kësaj radhe do t’ju tregojë të gjithë italianëve se kush janë këta gjykatës, ndërkaq në gazeta, televizione dhe plenume, do t’i bëj prokurorët që t’u vije turp”, paralajmëron ai.

Mirëpo, plejboji 74-vjeçar deri më tani ka dëshmuar se di ta humbet kontrollin mbi nervat e tij, siç ndodhi të hënën mbrëma, kur gjatë një emisioni televiziv në të cilin po flitej në mënyrë shumë kritike për të. Dhe, jo vetëm për të, por edhe për 26-vjeçaren Nicola Monneti, e cila, deri vitin e kaluar, merrej profesionalisht me higjienë dentare. E atëherë, falë mbështetjes së kryeministrit Berlusconi, u bë deputete e Parlamentit rajonal të Lombardisë. Berlusconi e kontaktoi studion televizive dhe, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë telefonike, deklaroi se ishte duke e përcjellë një emision tejet të neveritshëm, udhëheqja e të cilit ishte tmerrësisht e keqe, e ndyrë dhe një maskarallëk i llojit të vetë.

Berlusconi shtoi edhe atë se, Minneti është një personalitet i mrekullueshëm, për dallim nga prostitutat e ftuara në studio. Udhëheqësi i emisionit, pas kësaj, e quajti atë njeri të pagdhendur dhe të dhunshëm.

Në fakt, personazhi në fjalë, Nicola Monneti, është vetëm një prej personazheve me të cilat gjykimi aktual i kryeministrit Berlusconi është tepër i lidhur. Kjo, për shkakun se pikërisht ajo akuzohet t’ia ketë zgjedhur dhe kontrolluar vajzat, të cilat vinin në ahengjet e papërmbajtura tek “baba Berlusconi”.

Gjithsesi, kryeministri italian nuk do ta ketë lehtë. Aq më tepër kur përballë tij, në gjykatore, do të jenë të ulura tri gra. (DW)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›