AAK kritikon qeverinë për proçesin e regjistrimit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kritikoi sërish ecurinë e proçesit të regjistrimit të popullsisë. Anëtarja e kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ka shumë defekte. Sipas saj, është e padrejtë që fëmijët të cilët kanë lindur jashtë vendit nuk po regjistrohen.
Tërmkolli tha per mediat kosovare se një problem tjetër që është evidentuar, është edhe regjistrimi i pasurisë.
“Shumë qytetarë nuk po e regjistrojnë pasurinë e tyre. Kjo është si pasojë e mungesës së informacionit nga ana e qeverisë. Regjistrimi i pasurisë nuk ka të bëjë me taksa e tatime”, tha anëtarja e kryesisë së AAK-së, duke shtuar se të dhënat e çdo qytetari janë të mbrojtura me ligj dhe nuk i jepen askujt.
Sipas Tërmkollit, nëse shkohet me këtë ritëm të regjistrimit, atëherë mund të mbetet një pjesë e popullsisë pa u regjistruar brenda afatit të përcaktuar. Sipas saj, duhet të sqarohet nëse do të zgjatet afati i regjistrimit edhe për disa ditë të tjera. Ajo tha se ka shumë pak regjistrues, të cilët janë të trajnuar shumë dobët.