Albin Kurti:Tahiri, tërhiqu nga bisedimet me Serbinë!

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti, duke i vlerësuar të dëmshme bisedimet me Serbinë, i ka kërkuar zëvendëskryeministres së Kosovës Edita Tahiri që të tërhiqet nga këto bisedime.
Këtë kërkesë, Kurti e ka bërë sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ku ka raportuar kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka raportuar lidhur me gjithë procesin e bisedimeve me Serbinë, duke u shprehur e gatshme që këtë ta bëjë sa herë ta shohë të nevojshme Komisioni ose Kuvendi i Republikës së Kosovë.
Ajo i ka sqaruar anëtarët e Komisionit se obligimi ndërkombëtar për këto bisedime ka dalë nga Rezoluta e KS të OKB-së, të datës 10 shtator 2010, që flet për dialog në të mirë të qytetarëve të të dy palëve.
Tahiri është shprehur se bisedimet zhvillohen sipas platformës së qeverise së Kosovës për dialogun ndërshtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
“Qeveria është kompetente për ushtrimin e sovranitetit të vendit, prandaj ajo edhe e ka autorizuar kryesuesen e bisedimeve nga pala kosovare”, është shprehur Tahiri, e cila ka pohuar se i di mirë parimet e panegociueshme të këtyre bisedimeve, përkatësisht se i ka të qarta vijat e kuqe të interesit kombëtar, të cilat nuk do të shkelen: rregullimi i brendshëm, sovraniteti dhe integriteti i vendit.
Fakt inkurajues për këto bisedime, ajo e ka quajtur ndërmjetësimin e tyre nga BE-ja dhe mbështetja e tyre nga SHBA-ja.
Duke folur për dy rundet e para të bisedimeve, Tahiri ka specifikuar se është biseduar për kthimin e dokumentacionit kadastral dhe regjistrat civilë, të cilët janë marrë me forcë në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, si dhe për çështje të energjetikës dhe të telekomunikacionit.
Ajo ka pohuar se janë afruar qëndrimet për regjistrat civilë dhe për energjetikën, por se janë shumë larg sa i përket regjistrave kadastralë dhe çështjeve të telekomunikacionit. Tahiri ka theksuar se në rundet e tjera do të bisedohet për të pagjeturit, për demarkacionin e kufirit dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ajo, ndërkaq, është shprehur e bindur se dialogu i filluar do të jetë i dobishëm për të dy palët biseduese.
Ajo ka thënë se anëtarët e komisionit parlamentar nuk mund t`i kenë transkriptet dhe procesverbalet e bisedimeve me Serbinë. “Transparenca e tepërt është e dëmshme për dialogun”, ka thënë Tahiri, e cila e ka ftuar kryesuesin e mbledhjes, Albin Kurtin, që të bëhet pjesë e delegacionit për bisedimet me Serbinë.
Që në fillim të takimit, anëtari i Komisionit nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Shaip Muja, ka reaguar për tekstin e hartuar të ftesës për këtë takim, përkatësisht për sloganin “koncesionet e bëra” që i referohet ekipit të Kosovës.