“ACR”: Do të rrisim kushtet e punës, jo pagën për minatorët

Përfaqësuesit e kompanisë “ACR”, kanë zhvilluar një konferencë për shtyp, pas protestës së minatorëve të Bulqizës. Duke e cilësuar si të pajustifikuar grevën, ata kanë kërkuar ndërprerjen e saj.
Në fjalën e tij, kreu i "ACR" ka deklaruar se brenda vitit 2011, kjo firmë do të përmbyshë detyrimet e saj. Ndërkohë që duke u përqendruar tek kërkesat e minatorëve, ai ka deklaruar se mes tyre dhe firmës ka një kontratë të nënshkruar.
“Pagat janë të përcaktuara dhe të fiksuara nga një kontratë dhe nuk ka arsye nisja e një greve për rritjen e pagës. Kontrata kolektive do të thotë se ne i kemi premtuar punëtorëve diçka dhe ata na kanë premtuar diçka ne. Në thelb ajo që kemi premtuar është se nuk do të ketë lëvizje të pagave dhe do të kujdesemi për kushtet e punës. Në fund të kontratës ishte që punëtorët nuk do të kërkonin rritje rroge deri në 2013”, nënvizoi ai.
Po ashtu, ACR ka treguar gadishmërinë e saj për të dialoguar me minatorët. Ndërkohë, në konferencën për shtyp nuk kanë qenë të pranishëm minatorët e Bulqizës, të cilët prej ditës së djeshme po protestojnë në Tiranë.