ACR, shpreh ngushëllime për familjen e minatorit

Presidentja e kompanisë ACR, Skatsche Depisch ka shprehur ngushëllimin e saj për humbjen e punonjësit të ACR Naim Shyti në minierën e kromit në Bulqizë.
“Depisch i përcjell ngushëllimet e sinqerta familjes Shyti dhe shpreh mbështetjen e saj dhe të kompanisë ACR jo vetëm në këto momente të vështira por edhe në të ardhmen. Zonja Depisch është e interesuar për gjendjen e punonjësve të plagosur dhe iu uron atyre shërim sa më të shpejtë” theksohet në një njoftim për mediat nga kompania ACR.
Përsa i përket rrethanave të aksidentit tragjik, ACR thekson se ka përmbushur të gjitha urdhëresat e dhëna nga METE dhe i është përmbajtur Akt-Inspektimeve të RISHM në veprimtarinë e saj për kthimin e minierës në kushte pune. Në njoftim theksohet se ACR është në pritje të raportit përfundimtar të RISHM për rrethanat që shkaktuan aksidentin tragjik.
“ACR ka vënë në dispozicion të grupit hetimor dokumentacionin e nevojshëm dhe ka krijuar të gjitha lehtësitë për hetimin e kësaj çështje. RISHM në bashkëpunim me strukturat e ACR kanë marrë masa dhe po bëjnë eliminimin e avarisë” thekohet me tej në njoftim.
Dy ditë më parë një minatior ka humbur jetën, ndërsa 7 të tjera kanë mbetur të plagosur, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm i gazit metan në minierën e Bulqizës.