E Diel, 1 Nëntor 2026

ADN-ja e “njeriut të ri socialist”, një ndër shkaqet që vulosi zgjedhjet

24-08-2013 / Nga Eden Babani

- Refleksione paszgjedhore -

1.U mbushën dy muaj nga dita e zgjedhjeve. Po aq edhe nga heshtja ime në shtyp, pas shkrimit: “Rrotacioni politik, mall vendi apo importi?...”, botuar më 22 qershor të këtij viti. Shumë analiza janë bërë për të shpjeguar humbjen e thellë të së djathtës ose fitoren me përmasa të paparashikuara të së majtës. Edhe më shumë do të bëhen muajt që vijnë. E ardhmja do të shoshitë ato çka po hidhen pa doganë në tregun mediatik. Ndërkohë, mjedisi politik shqiptar do të mbetet i pakuptueshëm, ndoshta edhe për edicionin e ardhshëm të zgjedhjeve. Gjithsesi, s’ka dyshim se do të vijë një ditë që të ndahet gruri nga egjra, të inventarizohet gjithçka që do t’i qëndrojë së vërtetës, dhe të harrohet gjithçka që është hedhur e po hidhet për konsum mediatik në ngut e sipër, me kast ose jo.
2. Mungesën time në shtyp, shumëkush nga dashamirët e mi e ka konsideruar ashtu siç ka qenë në të vërtetë: “dëshpërim”, “stepje”, “periudhë reflektimi”. Shumëkush, duke dashur të më prekë në sedër, e ka emërtuar “frikë”. Të dyja palët më thërrasin të rikthehem në faqet e gazetës sime të preferuar, “55-s”. I falënderoj si njërën, si tjetrën palë, ndonëse të dytën do ta pyesja: Frikë? Po nga kush? Miku im, Tanush Frashri, ish i burgosur politik, heshtjen time e paskësh lidhur me ndonjë problem shëndetësor. I shqetësuar, më telefonoi këto ditë nga Wilach-u (Austri), ku jeton prej vitesh. Pasi e qetësova se isha mirë si kokrra e mollës dhe se klima e Brukselit po m’i qartësonte mendimet, më pyeti për shkakun e heshtjes së zgjatur. “Frika, - i thashë me shaka”. M’ u përgjigj: “Po ne i mbijetuam diktaturës së Enver Hoxhës që në fëmijëri, deri në prag të pleqërisë. A ia vlen të tërhiqemi tashti, në metrat e fundit?”
Kështu që, falë shtysës së miqve të mi dhe pas analizash të shumta që kam lexuar lidhur me zgjedhjet e 23 qershorit, tashmë e gjej me vend të rreshtohem sërish përkrah kolegëve të “55-s”, të them edhe unë fjalën time modeste, zë apo nuk zë vendin që ma ka ënda të zërë.
3. Rrotacioni i pushtetit, dukuri politike normale në vende me demokraci të kultivuar, për mua, as ka qenë, as është i pranueshëm në kushtet e recesionit ekonomik që po kalon rajoni ynë e më gjerë, ndonëse u fry si tullumbace nga qarqe të caktuara të partnerëve tanë ndërkombëtarë, madje edhe nga ndonjë “njeri i vockël”, i cili – nëse do të citoja zonjën Topalli – “nuk përfaqëson dot një vend të madh”. Shtyrja e urëve në vatër është e nevojshme kur zjarri vjen duke u fikur dhe acari duke hyrë në dhomë. Mirëpo, sipas institucioneve ndërkombëtare të specializuara që matin pulsin ekonomik të vendeve të ndryshme, ekonomia shqiptare ka qenë në ngjitje, krahasuar me atë të vendeve të rajonit. Kujt do t’i shërbente rrotacioni i pretenduar më shumë se sa Ramës me kinse programin e vet për një “Rilindje” të supozuar dhe Metës bashkëfajtor për rrënimin ekonomik, gjithashtu të supozuar?
Si argument, ideja e rotacionit u mbajt në këmbë me paterica qysh se u belbëzua së pari, për t’u plazmuar, më pas, në mendësinë kolektive. Sot, pas zgjedhjeve dhe pasi kanë kaluar do kohë, ngado që ta rrotullosh argumentin  rrotacion, ai nuk arrin të shpjegojë gjithçka ka ndodhur. Atë e hedh poshtë mjedisi ynë politik, me një elektorat postkomunist konfuz, i cili shpesh nuk di pse dhe për kë voton. Por, mbi të gjitha, atë e hedh poshtë ballafaqimi i programeve elektorale të dy koalicioneve, njëri i ndërtuar falë arritjeve lehtësisht të prekshme, mbi bazën e të cilave u renditën logjikisht premtimet përkatëse për të ardhmen; tjetri mbi mohimin e gjithçkaje dhe mbi premtime që po perceptohen gjithnjë e më të parealizueshme. Absurdi i përfundimit të zgjedhjeve, tashmë është më i dukshëm se kurrë. Atë e nxjerr në pah logjika politike, e cila e pranon rrotacionit si alternativë, por domosdo edhe si rezultat i votës së lirë, jo i grabitjes.
4. Analistë të ndryshëm nga të dy krahët politikë – madje edhe nga krahu i tretë, i të vetëquajturve të paanshëm, - kush më shumë e kush më pak, po nxjerrin në pah fakte të cilat rrahin ta përçojnë opinionin drejt një të vërtete relative, domethënë të shpjegojnë sesi u fituan, sesi u humbën ose sesi u manipuluan zgjedhjet. Faktet janë kokëforta. Mbështetur në to dhe sipas argumenteve të shumta që renditen ose që do të shtohen në të ardhmen, ka ndodhur një kthesë e madhe, me përmasa që i tejkalon ato të një rrotacioni demokratik. Jam i një mendjeje me zotin Arvizu, kur i krahason zgjedhjet e sivjetshme me ato të vitit 1992, por, për të qenë të saktë, krahasimi duhet pranuar vetëm pasi ta kthesh kokëposhtë. Përndryshe, ai bie ndesh me proceset demokratike, me interesat tona kombëtarë, si edhe me interesat e Vendeve Perëndimore, të cilat nuk do ta dëshironin kurrë restaurimin e komunizmit në një vend ish komunist, dy dekada e ca pas shembjes së Murit të Berlinit. Edhe më e besueshme bëhet kjo, po të mbajmë parasysh prirjen që ka shpalosur dhe po shpalos në vazhdimësi mazhoranca e re, e cila, ende pa marrë drejtimin e shtetit, po rreket të zhbëjë gjithçka të arritur prej mazhorancës së kaluar. Në thelb, kjo lloj prirjeje s’u lë gjë mangët përmbysjeve revolucionare që u vijnë për osh ekstremistëve të majtë. Aq më tepër kur Parlamenti dhe qeveria e ardhshme do të jenë të tejngopur me personazhe ekstremistësh, shpesh anonimë, produkt i vlugut, por që, gjithsesi, bartin ADN komuniste: kleptomaninë, pabesinë, mashtrimin, zakonin e kapardisjes dhe të kollofitjes.
Maskarada e Ujit të Ftohtë (Vlorë), ku qeveritarët e ardhshëm lundruan të vetëkënaqur në luks, ende pa filluar nga puna, më kujtoi të ndjerin, të mirin, veteranin naiv nga Kryeziu i Kavajës, xha Tahirin, të cilit i ra shorti të shkonte delegat në një Kongres të Frontit Demokratik në Vlorë, në kohën e Enver Hoxhës. Të vetmet mbresa që kishte marrë me vete veterani me qeleshe e me xhoke folklorike ishin menytë e bollshme të mëngjeseve, të drekave e të darkave. I tregonte i përmalluar në mensën e fshatit, tek mbllaçiste me ne, arsimtarët, ndonjë lugë fasule me misërnike dhe tek prisnin në radhë lehonat fshatare gjithara të merrnin nga një gotë qumështin për të mbajtur gjallë foshnjat e sapolindura.
5. Nëse është plotësisht e vërtetuar se, në vitin 1997, ekstremistët e majtë e grabitën pushtetin me forcën e armëve, tashmë, falë fakteve të publikuara, sa vjen e bëhet më e besueshme mënyra sesi u rikthyen në pushtet të njëjtat forca politike ish-komuniste, gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. E reja është se, kësaj here, përballë grykës së kallashnikovit, mori përparësi forca e mashtrimit dhe e parasë.
Në fillim të shtatorit, shqiptarët do të qeverisen nga një koalicion, i cili, në njërën ose në tjetrën mënyrë, është promovuar qysh në fillim të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, me nisjen e proceseve demokratike. Fillimisht, u promovua si trashëgimtar i regjimit komunist. Më pas, më 1997, do të promovohej së dyti, por kësaj here me forcën e armëve. Së treti, pas tetë vjet mbijetese në opozitë, do të shndërrohej në koalicion qeverisës, falë mashtrimeve pa kufi dhe parave të pista, derdhur lumë përpara dhe gjatë fushatës elektorale, sidomos ditën e zgjedhjeve.
Sërish, duhet thënë se faktet janë kokëforta. Aq më tepër që, në këtë koalicion bëjnë pjesë edhe katër parti komuniste, prapa të cilave qëndron hija e Enver Hoxhës. Madje jo vetëm hija e tij, me praninë e të birit, por vetë hija e diktaturës, me praninë e pjesës më të madhe të nomenklaturës komuniste. Në shtator e tutje, duan ose nuk duan shqiptarët që shembën diktaturën tok me monumentet dhe simbolet e saj, do të fillojnë të vjelin frytet e helmatisura të rilindjes komuniste të Edi Ramës, ëmbëltuar tashmë me një cipë sheqeri integrues të Ilir Metës. Ato do t’u shërbehen edhe një herë shqiptarëve, ndoshta edhe formalisht, me rikthimin e shtatores së diktatorit komunist në ndonjë sheh të Tiranës, sado që të përbetohet Edi Rama se “do të ketë mundësinë dhe kënaqësinë t’u provojë shqiptarëve sesa shumë gabojnë kur e shohin me frikë si diktatori i radhës”. Qengjin nuk e hëngra unë, tha ujku në gjyqin që luani u bënte kafshëve të pyllit.
6. Sipas meje, s’ka dyshim se përfundimi i zgjedhjeve të para-dy-muajve, përveç të tjerave, është edhe meritë e “njeriut të ri socialist, vepër e Partisë”, ADN-ja e të cilit në mjedisin tonë elektoral është ende tepër e fuqishme, pa do të dojë dhjetëra e dhjetëra vjet të zhduket. Sepse, të dalësh nga errësira e diktaturës komuniste, në dritën e demokracisë, do të thotë të orientohesh pak a shumë në kushte verbërie. Një ose dy dhjetëvjeçarë janë shumë pak për t’iu përshtatur dritës (politike). Madje, bash në atë mjedis të verbër, por pjellor ku humusi i ideologjisë komuniste, i shtresëzuar prej vitesh, bëri punën e vet, bëri të mbinin e merrnin jetë idetë fiktive të rrotacionit, fuqia e parasë dhe e mashtrimit, pabesia politike dhe besimi i verbër te premtimet pa kufi, bredhja pas berihajt, si në kohën kur turma zorrëtharë bërtiste “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë”.
Le të pyesim për një çast: si u tjetërsua, ku u tret ai njëzet përqind-sh i votave që i munguan koalicionit të djathtë? Mos vallë e fitoi (e akaparoi) e majta? Kurrsesi. E vërteton pjesëmarrja e ulët në votime, kurse në rrembat e atij njëzet përqind-shi nuk ka ADN komuniste. Përkundrazi, ka revoltë për ato çka nuk u bënë, me qëllim që të çrrënjoseshin  përfundimisht institucionet e trashëguara, si: dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, grabitja e pronës shtetërore në dëm të ish pronarëve, mungesa e vëmendjes ndaj ish të përndjekurve politikë etj. Mazhoranca e djathtë, e cila ka qeverisur vendin tetë vitet e fundit, duhet ta kishte bërë me përparësi e me vendosmëri, por fatkeqësisht s’e bëri. Edhe ky fakt, tepër kokëfortë, e përjashton rrotacionin, ngase bash tek verbëria, nga njëra anë, dhe tek revolta e njëzet përqind-shit, nga ana tjetër, duhet gjetur një nga shkaqet e humbjes së demokratëve dhe të rikthimit të pasardhësve të Bllokut në pushtet.
7. Sa kohë do të vazhdojë kjo dhe cili do të jetë fundi (se çdo gjë e ka një fund, siç e pati vetë diktatura e Enver Hoxhës), askush nuk mund ta parashikojë. Gjithsesi, të djathtët, por edhe të majtët e ndershëm që do ta kuptojnë kurthin e ngritur prej mjeshtërve të kurtheve, s’ka pse të bien në pesimizëm. Kam bindjen se, gjithë bashkë, të djathtë e të majtë, do të gjejmë rrugën më të përshtatshme për gjallërimin dhe rikthimin e vlerave demokratike. Premisat janë të prekshme. Ndër to, spikat lufta për pushtet e dy krerëve të koalicionit fitues, pavarësisht buzëqeshjeve të shtira që skërmitin kur janë ballë njëri-tjetrit. Historia e marrëdhënieve të tyre, tashmë dihet mirëfilli. Kanë të drejtë devollinjtë kur thonë se nuk mund të hanë dot dy qen në kobell.
Në kushte të tilla të pritshme, detyrimet dhe sfidat e cilitdo individ, i djathtë i dëshpëruar ose i majtë i zhgënjyer, janë të pakufishme, sikurse rrugët që të çojnë drejt qëllimit final. Shqipëria, në veçanti, dhe Kombi Shqiptar, në përgjithësi, nuk mund të kenë të ardhme tjetër, përveç shmangies nga e majta komuniste dhe rikthimi tek e djathta demokratike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›