E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhe të njëpasnjëshme çetnike për Sanxhakun

24-08-2013 / Nga Ismet Azizi

Të rinjtë e Pazarit të Ri kanë parandaluar një serb nga Banja Lluka i cili kishte ardhur për të hequr Pllakën Përkujtimore të Aqif Efendi Blytës. Ky serb, i quajtur  Sllobodan G., ka vendosë në llogarinë e tij në You Tube incizimin e tij të ashtuquajtur "Incidenti në Novi Pazar," të regjistruar  më 23 07 2013, në orët e vona të  mbrëmjes  pran pllakës përkujtimore  të Aqif Efendi Blytës e cila është e vendosur në shëtitoren kryesore të qytetit të Pazarit të Ri. Siç tregon Sllobodan G, ai së pari, ka pas për qëllim që ta mbulojë pllakën me një poster që sipas tij do të kishte “biografinë e Aqif Efendiut” dhe pastaj pllakën e mbështjell me këtë poster me qyski ta shkulë nga muri ku është e vendosur. Pllaka përkujtimore në vazhdimësi është nën përkujdesjen e të brinjëve të Pazarit, të cilët këtë ndodhi e kanë vërejtur  nga restorantet përreth. Ata nuk lejuan t’i ndodhë diçka e pakëndshme qytetit të tyre, të cilin ua ka lënë amanet Aqif Efendi Blyta. Kështu këta të rinj kishin filluar debatin me mysafirin e pa ftuar nga Banja Lluka, i cili debat mund të shikohet në video. Video të ngjashme, të cilat i japin mesazhe të pakëndshme Sanxhakut, janë publikuar këtyre ditëve. Një fjalë popullore thotë: “Ujku qimen e ndërron por zanatin nuk e harron”. Çetnikët, duke qenë të vetëdijshëm se në luftën për mbrojtjen e Bosnjës  dhe Hercegovinës, kanë marrë pjesë shumë luftëtarë nga Sanxhaku (sipas shumë analistëve, as që do të kishte ndodhë ndonjë luftë mbrojtëse në Bosnjë sikurse të mos ishin të rinjtë nga Sanxhaku të cilët iu përgjigjën thirrjes për ta mbrojt popullin e pafajshëm boshnjak nga agresioni serb), shfrytëzojnë rastin dhe nga ahengjet e tyre, nëpërmjet këngëve dhe nën ndikim e alkoolit, si zakonisht të përcjellin mesazhe të ndryshme siç janë: “Oj Pazaru novi Vukovaru”, dhe “Oj Sjenice nova Srebrenice”, që do të thotë: “O Pazar Vukovari i Ri” dhe “Oj Sjencë Srebrenica e Re”. Këto parulla bëjnë me dije se dëshira e këtyre serbëve është që ta shkatërrojnë Pazarin e Ri, sikurse Vukovarin, dhe të veprojnë në Sjenicë sikurse në Srebrenicë. Këto ngjarje, sikur edhe ato të vitit të kaluar që u panë në stadiumet e Beogradit, kur ishte e vendosur enigma “Zhica, noz, Srebrenica” (ishte fjala për mjetet me të cilat çetnikët kanë kryer krime- teli, thika, në Srebrenicë). Me këtë rast edhe “Torcida” nuk iu mbeti borxh duke ua kthyer mënyrën e zgjidhjes së enigmës. Në lidhje me këtë rast ka reaguar ashpër  Bashkësia Demokratike e Boshnjakëve të Sanxhakut duke dënuar këto shpërthimet fashiste të shfaqura publikisht nga një manifestim në qendër të qytetit Bratunac në Bosnjë dhe Hercegovinë në muajin gusht të këtij viti. Krejtësisht është e papërshtatshme, dhe përtej të gjitha normave të civilizimit, të përkrahet gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe spastrimet etnike, të ndodhura vite më parë si dhe kërcënimet që vijnë në këtë kohë nga akterët e njëjtë, e që veçanërisht është e rrezikshme për tërë Ballkanin, ku ende nuk janë shëruar plagët e viteve të nëntëdhjeta dhe ku ende nuk ka përfunduar rivarrimi i të vrarë të pafajshëm, fëmijëve dhe burrat e moshuar nga kriminelët çetnikë. Mesazhi jashtëzakonisht i rrezikshëm përkujton jo vetëm luftën e fundit por kohën kur Pazari i Ri ishte, nën administrimin e Aqif Blytës, i cili në atë kohë evitoi gjenocidin ndaj popullatës së këtij qyteti dhe më gjerë falë ndihmës që i erdhi nga vullnetarët kosovarë në krye me Shaban Polluzhën. Këtë, popullata e kësaj treve e di shumë mirë, siç thuhet “I madh e i vogël”. Nuk e kanë harruar këtë të keqe gjeneratë pas gjenerate dhe nuk e kanë munguar as tregimet për këtë luftë dhe luftëtarët e ardhur nga Kosova për ndihmë. Provokime të pandërprera vijnë nga serbët kudo që janë. Lavdërimi i veprës së Mlladiqit dhe Karaxhiqit vijnë nga një festë fetare që u mbajt para disa ditësh në kishën e Srebrenicës. Mekanizmat e nxitjes së urrejtjes etnike ishin mjete që iniciuan luftërat e përgjakshme të viteve të nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi. Urrejtja ishte e pranishme edhe në stadiumet ku mburreshin çetnikët me veprimet e tyre të turpshme. Shfrenimet çetnike nëpër stadiume dhe manifestimet e ndryshme lëvizën në fushën e politikës, u zhvendosën edhe në forcat ushtarake dhe paramilitare dhe u kthyen në fashizëm të hapur që tronditën botën. Boshnjakët këto akte barbare  i kuptojnë  si paralajmërime të reja se forcat e errëta të gjenocidit nuk janë mposhtur dhe është nevojshme që t’i mobilizojnë  radhët e veta për t’u mbrojtur  që të mos paraqitet sërish gjenocidi që ka ndodhur në të kaluarën në trevat e Bosnjë e Hercegovinës, në Shahoviq, Plavë, Guci, Bihor e Rozhajë.
Marrë nga portal “zemrashqiptare.net”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›