E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/EU - Beautiful Kosovo

24-08-2013 / Nga Naser Sertolli

Rrufenë e bëra përgjegjëse për diçka që e kishte bërë dora e dikujt që me njeriun, atë të ndershmin, normalin, e të civilizuarin, e bën bashkë veç dukja fizike. Rrufenë, sepse nuk më kujtohej se nuk më kujtohej ndonjë personazh negativ nga filmat e animuar për t’iu përgjigjur tim biri, i cili më shtangu duke më pyetur se kush e kishte thyer ulësen të cilës sapo iu afruam, në hyrje të parkut “Arbëria”. Të them të drejtën atypëraty më shkoi mendja të fajësoja mumjet, por hoqa dorë sakaq sepse kujtova se kisha hequr shumë për ta bindur se zombiet, siç i quan ai, nuk ekzistonin. Dhe, bëra mirë sepse djalit mund t’i përftohej ndonjë gjë, sidomos duke pasur parasysh vendin ku ishim, aty pranë varrezave të kryeqytetit. Se ku e kishte gjetur gjithë atë forcë ajo dorë e zezë për ta bërë pothuaj të papërdorshme atë ulëse të parkut, i cili, sipas një tabele ngjyrë të kuqe, në hyrje të tij, ishte rregulluar në kuadër të një projekti të financuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë. Për të mos harruar, në tabelë ishin logoja “EU – Beautiful Kosovo” (“BE – Kosova e bukur”), ajo e Komunës së Prishtinës dhe e IOM-it, si realizues i projektit. Vras mendjen se sa keq do të ndihen përfaqësuesit e vendeve evropiane kur ta kuptojnë këtë shëmti. Dhe lutem të mos e shohin fotografinë kur ta publikojmë këto ditë, në faqen e gazetës që i kushtohet kryeqytetit.
***
Fort u zhgënjye nëna kur, të dielën, pa të mbuluar me mbeturina çdo pëllëmbë të lëndinës në atë zonën malore, për bukurinë e të cilës i kishin folur shumë njerëz. Përnjëmend, lëndina ishte bërë pis, por jo më pak se shpati përballë, i fëlliqur nga objekte të betonta, numri i të cilave vazhdon të rritet. Tentimi për ta bindur nënën se mbeturinat ishin të asaj dite nuk piu ujë, sepse kishte shumë që thjesht ishin qelbur nga koha e gjatë e qëndrimit aty. Megjithatë, Prevalla mbetet një perlë natyre, të cilës dikush i vesh edhe veti shëruese. Krejt çka vërejta ishte se nëna, e cila ka probleme respiratore, as nuk pushoi, as nuk u lodh, kur ecëm gati gjysmë ore teposhtëzave e përpjetave që të shkonin në atë luginën mes kodrave, e me përroje, ku dikush kishte ngritur tenda, e po qëndronin aty që prej shumë ditësh.
***
Në këto kushte, a mund të bëhet Kosova e bukur siç thotë ajo logoja e BE-së dhe si synon organizata evropiane me projektet e financuara prej saj? Me njerëz që shkatërrojnë ulëse parku e që nuk i mbledhin mbeturinat personale për t’i hedhur në vendet adekuate - kurrë jo. Ose, është edhe një mundësi që vendin ta bëjmë të bukur: nëse punët e mbrapshta e shëmtitë i fusim në kategorinë e vlerave të këtij vendi. Se ku kam lexuar se edhe tek e keqja, tek e shëmtuara, ka estetikë. Në një situatë të tillë, do të ishim të parët. Jo vetëm në rajon. Jo vetëm në Evropë. Por, edhe shumë më larg. Sepse, për këso punësh të krijohet bindja se jemi të lindur. “Shqiptarët e bëjnë më së miri”, siç thotë slogani që shoqëron çdo fotografi ose video e postuar në “Facebook”, e të cilat shfaqin lloj-lloj bizariteti e veprimi të marrë.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›