E Diel, 1 Nëntor 2026

AH1N1, 18-vjeçarja, 3 ditë në koma, foshnja smund të jetonte

Autori i Lajmit: Entela DurajVajza 18-vjeçare shtatzënë, e cila humbi jetën dy ditë më parë, si pasojë e virusit AH1N1, vuante nga anemia dhe prej tri ditësh ndodhej në gjendje kome. Të njëjtin fat pati edhe foshnja e saj të cilën nuk mund ta sillte në jetë as një ndërhyrje kirurgjikale. “Nuk arritëm të shpëtonim as jetën e fëmijës 8-muajsh të nënës shtatzënë, pasi vajza e re prej tre ditësh ndodhej në gjendje kome. Në këto kushte një ndërhyrje kirurgjikale për të shpëtuar fëmijën do të ishte e rrezikshme. Kjo pasi në kushtet kur nëna është në gjendje kome, në 90% të rasteve fëmijët nuk arrijnë të mbijetojnë”, deklaruan mjekët e Spitalit Infektiv në QSUT duke dhënë përgjigje se pse nuk u arrit të shpëtohej të paktën jeta e foshnjes. Specialistët pohojnë se përvoja ka treguar se bebet në muajin e 8-të nuk mbijetojnë në kushtet kur nëna është në koma. Madje, mjekët shpresonin në një përmirësim të gjendjes së saj që të mund të shpëtonin si nëna dhe fëmija i saj, por, fatkeqësisht, ndodhi e kundërta.
Mjekët
Lidhur me rastin e fundit dhe të pestin me vdekje të prekur nga A (N1N1), mjeku i Infektivit, Dhimitër Kraja, sqaroi dje se vajza 18-vjeçare, e cila ishte shtatzanë, i është nënshtruar protokollit të mjekimit, që lëvizi në dinamikë. Më parë ajo ishte trajtuar në spitalin e Beratit, ndërsa ka mbërritur në Shërbimin Infektiv të QSUT-së rreth 7 ditë më parë. Po sipas shefit të Shërbimit Infektiv në QSUT, Dhimitër Kraja, pacientja vuante nga anemia si pasojë e shtatzanisë, ndërsa virusi preku mushkëritë e saj me pasojë jetën. "Pati një përmirësim ditën e parë në masën rreth 25 %, por më pas filluan të prekeshin organe të tjera",- tha Kraja, duke shtuar se "ky rast tregon që ky virus mund të prekë dhe persona të shëndetshëm". Gruaja e re dhe foshnja e saj janë kosnideruar zyrtarisht si viktima numër 5 nga gripi i derrit në vendin tonë. E reja 18-vjeçare u shtrua në Infektivin e QSUT-së, pasi u kurua për tri ditë në spitalin e Beratit. Ndërkohë drejtori i Politikave Shendetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, deklaroi se gratë shtatzëna janë të rriskuara nga virusi A/H1N1 ndaj dhe masat që ky grup duhet të marrë për tu mbrojtur duhet të jenë më të larta se tek njerëzit e zakonshëm.
Viktimat
Viktima nga Kuçova shënon rastin e pestë në vend. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi të dielën (12 dhjetor) rastin e katërt me vdekje nga virusi i gripit A (H1N1) në vend. Sipas drejtorit të Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në MSH, Pëllumb Pipero, bëhej fjalë për një 31-vjeçar nga Vlora, i cili kishte ardhur nga emigracioni rreth 3 muaj më parë. Ndërkohë, një ditë më parë, më 11 dhjetor u konfirmuan dy raste të tjera me vdekje nga virusi A (H1N1) tek dy persona nga Shkodra, një 53-vjeçar, i cili vuante nga pneumonia masive bilaterale, si dhe tek një paciente 47-vjeçare, e cila vuante dhe nga patologji të tjera, si sëmundje të mushkërive, hipertensioni arterial dhe hiperobeziteti.
Rasti i parë me vdekje nga virusi A (H1N1) u shënua më datë 3 dhjetor, në një pacient 57-vjeçar nga Sukthi. Pacienti, i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare "Shefqet Ndroqi", vuante prej shumë kohësh nga tumori i prostatës si dhe kishte kaluar dhe infarkt miokardi të një forme të agravuar. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A(H1N1) deri në datën 16 dhjetor 2009 është 334. Mosha mesatare e rasteve te prekura në total është 23 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë, bëhet e ditur nga buletini i Institutit të Shëndetit Publik. Ndërsa shenjat klinike të tyre gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare.
Rekomandimet
ISHP vazhdon të bëjë survejancën (mbikëqyerjen) e rasteve me grip, qoftë dhe rasteve të lehta dhe të atij të zakonshëm. Të dhënat tregojnë se në popullatë tashmë po qarkullon edhe virusi i gripit sezonal. Ndërkohë, mënjanimi i frekuentimit të vendeve publike, larja dhe dezifenktimi i vazhdueshëm i duarve, janë disa prej rekomandimeve të specialistëve të shëndetit publik. "Të gjithë personat që shfaqin shenja si temperaturë e lartë, ethe, dhimbje e fortë koke, fyti dhe trupi, çrregullime të tretjes, rrufë, teshtitje, skuqje të syve dhe të fytit, dobësi të përgjithshme, kollë të thatë, apo ulje oreksi, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku", këshillojnë specialistët.
Të sëmurët kronikë
Nga ana tjetër, MSH sjell në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A (H1N1) është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore. Nisur nga kjo, ata këshillojnë të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku, veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal.

AH1N1
Sot mbërrin vaksina

Vaksina ndaj virusit A/H1N1 në vendin tonë do të mbërrije ditën e premte (sot) nga Hungaria. Janë rreth 10 mijë doza të cilat do të shpërndahen në Tiranë, në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”, në repartet intensive të saj si dhe në Senatorium. Kjo deklaratë u bë dje në media nga drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Në javët në vijim pritet të vijnë 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapacitetit prodhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transportit.

Efektet e vaksinës

”Grupe të caktuara vaksinash, në vende të ndryshme, të prodhuara nga kompani të ndryshme kanë dhënë efekte anësore afatshkurtra të vaksinave, ndërkohë që efeket afatgjata të këtyre vaksinave ende nuk njihen. Vaksina vjen nga Hungaria, nga një firmë shumë e njohur prodhuese e vaksinave. Është aplikuar jo vetëm në Hungari, por dhe në vende të tjera dhe nuk ka asnjë raport deri tanni që kjo vaksinë që vjen tek ne ka dhënë efekte anësore në vendet respektive”, - tha Pipero.

(H1N1)/ Kraja
"Jo panik, Shqipëria me vdekshmëri të ulët"

Rasti i fundit me vdekje me virusin A (H1N1) tek një 18-vjeçare, tregon qartë se duhet të jemi vigjilentë gjatë gjithë kohës së shfaqjes së këtij gripi, tha dje shefi i Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, Dhimitër Kraja. Sipas tij, Shqipëria hyn në vendet me vdekshmëri të ulët, krahasuar me vendet e tjera, madje edhe me ato fqinje. "Pavarësisht nga rastet fatale, Shqipëria po e kalon gripin A (H1N1) mjaft mirë, pa raste shumë të rënda dhe me vdekshmëri të ulët",- theksoi Kraja. Në QSUT ndodhen rreth 12 raste të shtruara me këtë sëmundje, shumica në forma të mesme dhe të lehta. "Prej këtyre, 2 raste, që kanë qenë rëndë, po trajtohen në reanimacion në gjendje të përmirësuar",- tha Kraja. Ndërkohë, pritet që rastet e prekura nga A (H1N1) të jenë më të rralla dhe rastet fatale më të pakta. "Ky është piku, maksimumi i rasteve që ka agresivitet",- nënvizoi Kraja, duke shtuar se "nuk ka vend për panik, por për të qenë vigjilentë, për të kërkuar ndihmë mjekësore dhe për të qenë korrektë me trajtimin".
Situata, sipas tij, paraqitet me një ulje të rasteve me grip, ndërsa në spital paraqiten ¼ e atyre që ishin më parë. Por, sa u takon rasteve të rënda, ato mund të jenë edhe kur është piku, por edhe kur prekshmëria është ulur.

Infermieria, studentët ikin nga mësimi, frikë nga AH1N1

Studentët e degës së Infermierisë në Universitetin e Elbasanit kanë bojkotuar dje mësimin. Nëse më parë lënia e mësimit është bërë për probleme arsimore si Karta e Bolonjës, këtë herë të rinjtë i ka zënë paniku i infektimit nga gripi i derrit. Për këtë arsye ata kanë refuzuar të ndjekin praktikën mësimore, e cila zhvillohet në ambinetet e njërës prej godinave të spitalit, ku në katin e parë ndodhet reparti i infektivit. Dhjetëra studentë kanë qëndruar poshtë godinës duke mos pranuar të hyjnë në spital ku ishte planifikuar të zhvillonin praktikën mësimore. Është dashur ndërhyrja e pedagogëve, por edhe e mjekëve për të sqaruar studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” se nuk ka vend për panik. Aktualisht, në Spitalin Infektiv të Elbasanit nuk ka asnjë person të shtruar, të dyshuar si mbartës i virusit të gripit të derrit. Po ashtu, bluzave të bardha u është dashur të sqarojnë se në ditët e mëparshme 30 raste që u paraqitën në këtë spital si të dyshuar me gripin e derrit, pas analizave përkatëse dyshimet rezultuan negative. Pasi kanë bojkotuar mësimin për 20 minuta, studentët kanë hyrë në spital për të zhvilluar normalisht praktikën mësimore.

Ky lajm është publikuar: 18/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›