E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia padit për shpifje Ferdinand Ponin

Autori i Lajmit: RedaksiaBashkia e Tiranës padit zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni. Zëdhënësja Bashkisë së Tiranës bëri të ditur dje se padia është bërë në lidhje me deklaratat e Ferdinand Ponit se ai shpif ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj për tokën e kompleksit Tajvan. “Për të disatën herë, shtetasi Ferdinand Njazi Poni, në cilësinë e zëdhënësit të politikës së përbaltjes, doli dhe përsëriti shpifjet dhe akuzat false ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, lidhur me tokën e kompleksit Tajvan. Bashkia e Tiranës, si përherë, politikës së përbaltjes do ti vendosë përballë të vërtetën dhe ligjin. Në respekt të opinionit publik, i bëjmë me dije shtetasit Ferdinand Njazi Poni se në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është regjistruar kallëzimi penal me nr 1875 E, paraqitur nga Bashkia e Tiranës kundrejt tij, për veprën penale, shpifje e qëllimshme për shkak të detyrës”, - tha Bushi. Ajo gjithashtu deklaroi se ndaj Ponit është bërë padi civile për dëmshpërblimin e imazhit të cenuar të Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar prej tij mbjelljen e 1250 pemëve të llojit bli. “Shtetasi Ferdinand Poni të shkojë e të faktojë pranë organeve të drejtësisë shpifjet dhe akuzat e lëshuara papërgjegjshmërisht, duke uzurpuar ekranet e qytetarëve kundër Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj. Bashkia e Tiranës nuk do të çojë dëm asnjë sekondë nga puna e saj.
Bashkia e Tiranës nuk do të përçojë përmes ekraneve, përgjigje boshe për shpifje e trillime të ulëta”, - përfundoi Bushi.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›