Bllokohen nga bora komunat e Kukësit
Autori i Lajmit: RedaksiaKomunat e Kukësit janë bllokuar nga bora prej 48 orësh. Ndërkohë që në fshatrat e Tropojës nuk është kthyer ende energjia elektrike dhe uji i pijshëm, temperaturat vazhdojnë të jenë disa gradë nën zero. Vazhdon të jetë e bllokuar komuna Arrën, por probleme ka dhe në komuna të tjera të thella si Zapod, Grykë çaj. Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes dhe të lëvizin me zinxhirë. Problematikë janë sidomos zonat në Zapod, Arrën, Aksi Kukës-Shishtavec, i kalueshëm, por me zinxhirë. Reshjet e borës kanë rënë gjatë natës, ndërsa dje në mëngjes kanë pushuar, por temperaturat e ulëta dhe era e ftohtë kanë formuar ngrica nëpër rrugë. Bora dhe ngrica ka izoluar banorët e fshatit Tërnovë. Mësohet se 90 banorët e këtij fshati nuk kanë mundësi të zbresin në qytet, pasi rruga që lidh fshatin e tyre me Bulqizën është e bllokuar nga bora, trashësia e së cilës arrin deri në 70 centimetra. Brenda në fshat mësohet se trashësia e borës arrin në 30 centimetra. Në komunën Krastë të Martaneshit janë të izoluar nga bora 4 fshatra. Ngrica ka krijuar probleme në qarkullimin rrugor. Në aksin Pukë - Fushë-Arrëz, në dishezën e Plepit qarkullimi është i vështirë për shkak të ngricave. Vështirësi dhe në Qafë-Mali. Burime nga policia bëjnë të ditur se punonjësit e ndërmarrjes së mirëmbajtjes janë në gatishmëri për të hedhur skorie dhe kripë në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e makinave. Vetë shefi i qarkullit rrugor i Pukës po monitoron situatën. Vështirësi ka më shumë në lëvizjen e automjeteve të tonazhit të lartë. Reshjet e borës gjatë natës kishin bllokuar aksin Fushë-Arrëz - Qafë-Mali. Ndërhyrja e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve ka liruar këtë aks. Situata problematike është në fshatrat e thella të komunave të Fanit, Rroshit dhe Kaçinarit, ku trashësia e borës arrin në 25-30 cm. Mësohet se nuk ka bllokim të rrugëve nacionale, të cilat mirëmbahen duke hedhur vazhdimisht skorie e kripë. Probleme në qarkullimin e automjeteve ka në autostradën Durrës-Kukës, në aksin Rrëshen-Fierzë, pikërisht në zonën e Fanit, ku shtresa akulli përbëjnë rrezik për lëvizjen e automjeteve. Drejtoria e Rrugëve dhe firma Bektel Enka nuk po marrin përsipër hedhjen e skorieve në rrugë. Ndërsa Shtabi i Emergjencave Civile konfirmon se në Korçë nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike të zonave malore, por disa zona janë të izoluara. Kështu rruga e Dardhës dhe ajo e Voskopojës kanë pasur probleme për shkak të terrenit të vështirë që ka penguar hapjen e shpejtë me borëpastruese. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në akset rurale të zonave malore të Korçës. Aksi Korçë-Dardhë kalohet me vështirësi për shkak të trashësisë së dëborës dhe po punohet për hapjen e kësaj rruge. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Rrugëve Nacionale, të gjitha akset e tjera janë të kalueshme dhe nuk paraqesin probleme.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009