Parakalimi i gabuar, humbin jetën tre persona
Autori i Lajmit: RedaksiaKatër të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i aksidenteve të regjistuara dje në rrugët e vendit. Tre persona kanë gjetur vdekjen e menjëhershme në aksidentin e radhës që ka ndodhur dje në mesditë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në mbikalimin e fshatit Xibrakë. Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga policia mësohet se automjeti Fiat, me targa EL 9740 A, është përplasur me mjetin kamion me targa Shkupi ST460TI, duke shkaktuar tre të vdekur. Forca të shumta policie kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të nxjerrë viktimat nga automjeti me targa Elbasani. Burimet zyrtare nga policia bënë të ditur se tre viktimat po udhëtonin me veturë. Në Fier dy persona kanë humbur jetën në një aksident automobilistik. Mjeti i tyre ka rëshqitur për shkak të lagështisë. Ndërkohë po dje në Korçë një kalimtar ka gjetur vdekjen, pasi është përplasur nga një mjet.
Viktimat
Identifikohen tre viktimat e aksidentit të rëndë që ndodhi pas mesditës së djeshme në aksin rrugor Librazhd-Elbasan në mbikalimin e fshatit Xibrakë. Burime nga policia bënë të ditur se me automjetin Fiat veturë, me targa EL 9740 A, udhëtonin tre persona, të cilët kanë gjetur vdekjen e mënjëhershme nga përplasja. Sipas të njëjtave burime, mësohet se aksidenti ka rezultuar fatal për Ismail Zymën, Fatmir Budrën dhe Fatmir Hasën, të cilët udhëtonin në autoveturën me targa të Elbasanit. Sipas policisë, e cila mbërriti në vendngjarje, nga hetimet e para dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rrjedhojë e parakalimit të gabuar të kryer nga autovetura. Tre viktimat janë nxjerrë nga makina, ndërsa drejtuesi i kamionit kishte marrë vetëm disa plagë pa rrezik për jetën.
Korçë
Një kalimtar është gjetur i përplasur ndërsa ecte normalisht në rrugë prej një makine, e cila ka dalë nga rruga dhe ka shkaktuar aksident. Për fat të mirë, ky i fundit nuk ka rezultuar fatal dhe i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Policisë së Korçës, sipas të cilave, tashmë janë kryer veprimet hetimore procedurale për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit”, në ngarkim të 24-vjeçarit S. Maliqllari, lindur dhe banues në fshatin Sheqeras të Korçës. Maliqllari, duke drejtuar mjetin e tij tip Opel Astra, me targë ZHP8070 në rrugën dytësore Korçë-Sheqeras, ka dalë nga rruga dhe për pasojë është aksidentuar një person, i cili ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën.
Fier, dy të vdekur
Rrëshqet makina, humbin jetën dy persona. Dy automjete janë përplasur në Fier duke sjellë edhe dy viktimat, Kili Karafili dhe Eduard Kodheli, përkatësisht 46 dhe 43 vjeç. Burime nga policia, të cilët inspektuan vendin e ngjarjes, bënë të ditur se dy automjete janë përplasur në Kthesën e Portëzës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se për shkak të lagështirës në rrugë si dhe terrenit të vështirë në këtë zonë, dy automjetet kanë rrëshqitur, duke u përplasur me njëra- tjetrën. Policia njofton se dy viktimat ishin banorë të fshatrave të Ballshit dhe udhëtonin me një automjett tip Benz me targa të Mallakastrës MK 4105. Ndërkohë, sipas bluve, automjeti me të cilin janë përplasur mban targa të Tiranës. Menjeherë në vendin e aksidentit kanë mbërritur uniformat blu, të cilat janë munduar tu vijnë në ndihmë dy personave, por ka qenë e pamundur, pasi të dy kishin humbur jetën në momentin e përplasjes. Dy viktimat janë dajo e nip, megjithë moshën e afërt me njëri-tjetrin. Ndërkohë nga automjeti tjetër, fatmirësisht, nuk ka pasur probleme në njerëz, vetëm dëme materiale. Kutojmë se vetëm përpara pak ditësh humbën jetën një çift nga qyteti i Vlorës. Liljana dhe Medi Mata, përkatësisht, 58 dhe 52 vjeç ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre kur ky i fundit doli nga rruga duke rënë përmbys në kanalin e rrugës aty pranë. Aksidenti ndodhi në rrugën kryesore Pishporo - Levan, pikërisht në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009