Berisha: Të gjenden skemat e duhura për nxitjen e mbjelljes së ullirit
Kryeministri Sali Berisha mblodhi dje Taks-Forcën për ullirin, për të diskutuar mbi ecurinë e këtij projekti ambicioz të qeverisë. Kryeministri kërkoi që të gjenden skemat e duhura për nxitjen e mbjelljes së ullinjve në të gjitha zonat e vendit dhe realizimit me sukses të plotë të këtij projekti ambicioz. Kryeministri Berisha ritheksoi edhe njëherë se ky është projekti më i rëndësishëm i katërvjeçarit në vijim, që synon mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj në vend. Kryeministri Berisha siguroi mbështetjen e qeverisë, për të gjitha strukturat që merren me zbatimin e këtij projekti dhe u kërkoi atyre që të gjejnë skemat e duhura për nxitjen e mbjelljes së ullinjve dhe realizimit me sukses të plotë të projektit ambicioz. Ministri i Bujqësisë, z. Genc Ruli, bëri me dije se mbështetja e dhënë për vitin 2009 për mbjelljen e ullishtave të reja ka qenë shumë efektive, ndërkohë që kërkesat për mbjellje të reja kanë qenë 2 herë më të larta se në vitin 2008. Gjatë vitit 2009, për sektorin e ullirit janë dhënë 104 milionë lekë, nga 1.1 miliard lekë të dhëna në total për subvencionimin në bujqësi. Në takim u bë e ditur se janë evidentuar tashmë të gjitha sipërfaqet e ullishtave ekzistuese, gjendja reale e tyre dhe masat që duhet të merren për rehabilitimin e rreth 17.000 ha ullinj. Gjithashtu, janë përcaktuar edhe të gjitha sipërfaqet që do të mbillen me ullishte të reja, që arrijnë në 60 ha gjithsej. Është përcaktuar edhe struktura e varieteteve që do të mbillen, sipas të cilës, nga 20 milionë rrënjë që do të mbillen në total, 65 për qind do e zënë mbjellja e varieteteve të vendit dhe 35 për qind varietetet e huaja.