A/H1N1, dyshohen dy raste të reja

Dy pacientë të rinj dyshohet të jenë bartës të virusit famëkeq A/ H1N1. Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se laboratori ka vërtetuar praninë e tipit A të virusit tek këto dy raste, por për një konfirmim të saktë, mostrat janë dërguar në laboratorin e referencës në Rumani. Sipas të njëjtit burim dy rastet e dyshuar së fundmi janë të moshës 20 dhe 25 vjeç. Një ditë më parë ky institut deklaroi zyrtarisht edhe katër raste të reja të konfirmuar me grip derrash. Deri më tani ky numër ka arritur në 12 persona. Rastet janë kryesisht në Tiranë, vetëm një rast është nga Lushnja dhe një tjetër nga Saranda. Sipas buletinit epidemiologjik të përgatitur nga ISHP, numri më i madh i rasteve i përkasin moshës 25-44 vjeç, çka i përket moshës më aktive të popullatës. Megjithatë mostrat e mbledhura dhe rastet e konfirmuar dëshmojnë se, virusi ka prekur edhe mosha më të hershme dhe më të vjetra se kjo kategori. Deri më datën 9 gusht, numri i mostrave të mbledhura pranë ISHP-së është 336. Laboratori i Virologjisë pranë institutit analizon çdo javë rreth 30 mostra.