E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1 shënon viktimën e shtatë, në gjendje të rëndë një shtatzënë

Një 25-vjeçar tetraplegjik nga Korça ka gjetur vdekjen nga virusi i gripit të derrave, nga i cili ishte prekur prej ditësh. Po dje, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se një e re 5-muajshe shtatzënë me dy binjakë është në gjendje të rëndë, e shtruar në repartin e reanimacionit në Sanatoriumin e Tiranës.
Situata
Sipas mjekëve, gruaja e ardhur nga Kukësi, prej dy ditësh ndodhet e shtruar në repartin e reanimacionit. Ata deklarojnë se vetëm pak ditë më parë një 18-vjeçare shtatzënë e infektuar me virusin e gripit të derrit ndërroi jetë në muajin e 8-të të shtatzënisë. Deri dje numri i personave të infektuar në vendin tonë kap shifrën e 373 personave, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.
Të dhënat nga ISHP-ja bëjnë me dije se janë marrë deri dje janë 2500 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 -24 vjeç, ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara.
Ministria e Shëndetësisë saktëson se mbikëqyrja në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin për shtrimet në të gjitha spitalet e vendit, si dhe është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratorë. Mosha mesatare e të prekurve në total është 24 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë të konfirmuara në Tiranë. Shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare.
Vaksinimi
Ndërkohë, ka nisur vaksinimi kundër gripit të derrit i stafit mjekësor dhe pritet të nisë vaksinimi i kategorive të tjera në risk. Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të rriskuara dhe prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore. Poliklinikat e Tiranës kanë filluar dje vaksinimin kundër virusit pandemik të grupeve në risk.
Që në orët e para të ditës, Drejtoria e Shëndetit Publik ka pajisur poliklinikat me numrin e vaksinave përkatëse. Sipas mjekes infeksioniste në poliklinikën nr. 9, interesi për aplikimin e vaksinës është tepër i madh. Grupet e para që po vaksinohen në poliklinikat e lagjeve, janë fëmijët nga 1 deri në 5 vjeç dhe personat nga 5 deri në 24 vjeç, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike.

Kafeja, shqiptarët çmimet më të ulëta në rajon

Kompania GfK Albania, e përqendruar në studimin e tregut, ka prezantuar dje projektin “Skanimi i çmimeve”, që tentoi të shihte diferencat e çmimeve në vendet e Ballkanit. Pjesa e parë e projektit kishte të bënte me kafenë dhe u quajt “Indeksi ekspres”. Në fund të studimit rezultoi se Shqipëria kishte çmimet më të ulëta në rajon. Kështu, një kafe në Shqipëri kushtonte mesatarisht 0.6 euro, më lirë se Kosova, me 0.8 euro, dhe vendet e tjera që ishin me mbi dy euro. Në vend të parë ishte Greqia me 3.5 euro. Për sa i përket kapuçinos, Greqia zë sërish vendin e parë me 4.5 euro, e ndjekur nga Sllovenia, Kroacia, Serbia etj. Ndërkohë, çmimi në Shqipëri ishte 1.32, ndërsa në vendet e fundit Bosnja-Hercegovina dhe Kosova me 1.3 euro.

Liberalizimi, nisin procedurat e reja në portin e Durrësit

Kanë nisur prej 3 ditësh në portin e Durrësit lehtësirat procedurale të kalimit kufitar ndaj shtetasve malazezë, serbë dhe maqedonas. Kjo ka të bëjë me masat e reja për të kontrolluar kufijtë pas hyrjes në fuqi të vendimit të BE-së, për të lejuar lëvizjen e lirë të shtetasve të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë në zonën Shengen. Shefi i komisariatit të Policisë Kufitare, Naim Manuka, tha për “standard” se “prej 3 ditësh heqja e vizave për këto vende ka lehtësuar edhe procedurat për kalimin e shtetasve të këtyre vendeve nga porti i Durrësit”. Shqipëria, e cila pritet të përfitojë pas pak muajsh nga liberalizimi i vizave, po përpiqet të përmbushë standardet për të marrë dritën jeshile për këtë proces vitin e ardhshëm. Në tri shtetet tona fqinje qytetarët që kanë pritur 19 vjet për heqjen e vizave, festuan dje në mesnatë udhëtimin e tyre të lirë në Evropë. Në Shkup mijëra qytetarë kanë festuar dje në mesnatë ditën pa viza për Maqedoninë, festime ka pasur edhe në Podgoricë dhe Beograd, ku qytetarët kanë përshëndetur vendimin e BE-së. Qytetarët e këtyre tri shteteve kanë nisur prej ditësh ardhjen edhe në Shqipëri, madje ka prej tyre që duan të kalojnë festat e fundvitit tek ne. Sipas statistikave policore, mësohet se vetëm të shtunën e të dielën hynë nga porti i Durrësit mbi 345 shtetas serbë, malazezë e maqedonas, transitë ose me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri.
A. Ajazi

Ndryshojnë kuotat e doktoraturës

Këshilli i Ministrave ka vendosur dje ndryshimin e kuotave në doktoraturat e Fakultetit të Drejtësisë, si edhe çeljen e programeve të reja në Universitetin Bujqësor.
“Kuotat e pranimit në këto programe studimi të doktoratës në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, për vitin 2009 janë gjithsej 75, prej të cilave 15 për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë vendit. Ndarja e këtyre kuotave, sipas programeve të studimeve, është doktoratë në “Shkencat juridike civile“, 25 kuota; Doktoratë në “Shkencat penale”, 25 kuota; Doktoratë në “E drejta publike”, 25 kuota”. Tarifa e shkollimit për këto programe studimi të doktoratës është 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Drejtësisë, i Universitetit të Tiranës”. Ndërkaq po dje, qeveria vendosi që doktoratat në Universitetin Bujqësor të Tiranës të jenë me 200 mijë lekë në vit. “Kuotat e pranimit në këto programe studimi të doktoratës në Universitetin Bujqësor të Tiranës për vitin 2009 janë gjithsej 89, prej të cilave 10 kuota për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të vendit, që administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve”, - përcakton vendimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›