E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysma e letrës së Ramës që nuk mbërriti te zonja Topalli

Tashmë Edi Rama ka humbur ushtrinë e protestave, duke e katandisur përkrahjen vetëm në shtabin drejtues aq sa nxë një taksi pesëvendëshe me gjithë shofer në nxitim, dhe i është rikthyer zhurmës së padive në prokurori, duke shpresuar se do të dalë ndryshe nga sa ka hyrë në këtë institucion të rëndësishëm hetimi. E thënë ndryshe, situata e sjell Ramën në dorë të Ramës me një dosje që përgatitet nga njeriu që ai ka marrë me qera në modelin njëpërdorimsh, pasi ai e ka etiketuar konsumator të letrës së butë. Babëzia e fajësisë sigurisht do të çelë shpërthime instiktive që të rreshtosh pa bosht një mbrojtje të përkohshme me gjasa se po shmangesh nga e vërteta që bart shumë telashe.
Edi Rama, pasi ka frenuar, penguar, dhunuar deputetët që të konsumojnë mandatin e marrë me votë në zgjedhjet e 28 qershorit, tani kërkon të jetë në Parlament vetë që t’i imponojë sjelljen Parlamentit me letrat e hapura, një gjest që shkon për shtat me Bojë-Kotin, sepse ka mbetur ca pika bojë për të shkruar një pretendim që kërkon ta ketë në inventar votimit, një pashpjegueshmëri e pashembullt në jetën kuvendore të marrë brenda dhe jashtë kufijve të vendit.
Por, ajo që më nxiti të shkruaj dhe të përmend gjëra që nuk janë sekrete, por të dobishme për vëmendjen e qytetarëve, është letra e Edi Ramës për kryeparlamentaren Jozefina Topalli në seancën e fundit të këtij viti.
Besoj se ai i shkroi zonjës Topalli gjysmën që kishte dëshirë të merrej në konsideratë, ndërsa pjesën tjetër të shkruar me kohë e mban sërish në tryezë për ta lexuar e jo dërguar. Kjo mungesë transparence dhe dëshire nuk e shëndosh aspak bilancin negativ të kalendarit politik të kryebashkiakut që e ka konsumuar vitin 2009 në rrugë më shumë se në çdo institucion apo banesë.
Meraku i Edi Ramës në letrën për Topallin është për Inspektoratin e Ndërtimit, duke identifikuar frikën dhe sevdanë më të madhe të jetës së tij, pallatet e të tjerëve, ku ai akuzohet publikisht dhe zyrtarisht në prokurori se është aksioner. Sipas Ramës, në letër, ky projektligj bie ndesh jo vetëm me parimet kushtetuese, por dhe me disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me raportet e komisioneve të organeve të Këshillit të Evropës, duke sjellë regres të dukshëm në reformën e decentralizimit dhe duke cenuar rëndë autonominë vendore. Nuk ka në letrën e socialistit drejtues asnjë fjali që të vjedhësh rrugën e qytetarëve në qendër të kryeqytetit dhe ta bësh pallat është kushtetuese dhe jocenuese për autonominë vendore. Këtu është prishur autonomia më e pakët njerëzore dhe është një rresht që më kot e ka fshirë kryebashkiaku i pallateve që kërkon të jetë fuqiplotë për të prishur banesa me pronësi shekullore në Tiranë për qëllime gjoja publike e për të mbjellë godina shumëkatëshe me mbiemër miqësor që janë burimi i presionit në partinë që i kanë dhënë të drejtojë..
Sipas pushtetarit lokal, ky ligj, që në fakt nuk prish asnjë godinë që është ndërtuar ligjërisht, cenon pasuritë e të denoncuarve, atyre që ndonëse nuk janë më shumë se tetë persona, kanë në pronësi 750 milionë euro pallate në qendër të Tiranës. Në fund të letrës drejtuar Kuvendit, kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, pretendon se ligji i përgatitur nga qeveria për Inspektoratin Kombëtar të Ndërtimit nuk është konsultuar me njësitë vendore e prapë gjen paqe te Kushtetuta, a thua Kushtetuta e ka udhëzuar të masakrojë pronat në qytet. Parodia vazhdon me kërkesën që ai bën në adresë të zonjës Topalli që të mundësojë mosmiratimin e këtij ligji, ndonëse nuk lejon asnjë nga deputetët që kanë tagër të jenë debatues në Kuvend për këtë e çdo ligj tjetër që të mbrojnë pretendimet e shefit të tyre politik. Kjo ftesë nga rruga për Parlamentin është një dredhi e mekur e Ramës që tani ka mbetur hollë dhe dorëzohet në dorë të Ramës, prokurores së përgjithshme, që ai e fton të hetojë paditë e bëra prej tij në adresë të Kryeministrit. Me këtë letër dërguar Topallit, thirrjen drejtuar Ramës, (zonjës prokurore), Rama ka dëshmuar para kamerave se ka dështuar me variantin e rrugës dhe po kërkon të shohë nga institucionet dhe kjo duhet marrë si shenjë e mirë. Pasi ka lexuar letrën për zonjën Topalli, Rama kthehet nga Prokuroria, duke deklaruar: “I rikërkoj publikisht prokurores së përgjithshme që hetimi për këtë shpifje dhe për të gjitha shpifjet e kallëzuara edhe publikisht të mos zvarriten, por të hetohet pa humbur kohë në radhë të parë për të mirën e publikut në këto kohë të vështira për vendin”. Bukur fort. Dhe zonja Rama, kjo koincidencë e padashur mbiemrash do të jetë mbase ogur i mirë, duhet të lexojë më herët ftesën e drejtuesit të opozitës. Zonja Rama duhet të hetojë ashtu si kërkon zanati i saj, të gjitha paditë e tij nëse akuzat që janë bërë për të janë shpifje. Po të hetojë nëse pallati i Dash Pezës në mes të rrugës është bërë duke zaptuar rrugën, pronën publike. Duhet të hetojë po me kërkesë të Ramës, sepse kjo është një nga kërkesat e tij për njërën nga “shpifjet”. Të provojë se toka me vlerë 3 milionë euro te “Tajvani” është shitur padrejtësisht, si një vjedhje, sepse kjo është sërish kërkesë e Ramës. Duhet të hetojë shumë pallate të dhëna brutalisht mbi prona të tjera, sepse kjo është kërkesë e Ramës. Por për hatër të respektit ndaj Prokurorisë, zoti Rama duhet t’i kërkojë zonjës Rama që të hetojë dosjen e ndryshkur të fasadave, kur zoti Rama ishte ministër Kulture dhe bëri me bojë-koti gjithë muret e Tiranës. Duhet të hetojë dhe për festën në Pezë, një tjetër dosje që akuzon zotin Rama dhe gjendet në Prokurori. Duhet të hetojë edhe dosjen e “Kambanës së paqes” një dhuratë italiane që u shit 20 milionë lekë. Duhet të hetojë dhe kallëzimin e komisionit parlamentar për shumë e shumë pretendime të tjera. Të gjitha këto me kërkesë e dëshirë të zotit Rama. Duhet zonja Rama të hetojë dhe akuzën e zonjës Topalli për qindra telefonata të Delijorgjit me zotin Rama, kjo jo fort për arsye përshëndetjesh, por biznes i denoncuar fort si dallavere, që vazhdon të punojë bukurisht në të njëjtën adresë dhe pa pronar! Duhet të kishte shtuar kryebashkiaku në letrën dërguar zonjës Topalli dhe kallëzimin e bërë ndaj tij të prefekturës që kërkon hetim për “lejet e ndërtimit, të dhëna nga Bashkia Tiranë në mungesë të formularit dhe lejes nga Policia e Mbrojtjes kundër Zjarrit Tiranë, leje këto të dhëna në kundërshtim me ligjin për urbanistiken…” Unë nuk e besoj dyshimin e pëshpëritur informalisht që po deshe ta mbyllësh një dosje, çoje më mirë në Prokurori. Afërsisht, këto dhe shumë të tjera janë pjesë të asaj letre që nuk ka mbërritur në zyrën e zonjës Topalli, por që shumë mirë kryetarja ashtu si mazhoranca i ka denoncuar dhe pret nga zonja Rama që të hetojë për llogari të zotit Rama vetë zotin Rama. Ndaj, zonja Topalli, për respekt të opozitës, miratojeni në Parlament dhe me pjesëmarrjen e deputetëve socialistë ligjin për Inspektoratin Kombëtar të Ndërtimit, sepse do të mësojmë brenda pak ditëve sa qindra milionë euro janë grabitur e të paligjshme për të mbërritur në akuzën publike të Kryeministrit Sali Berisha se “Mafia” është e frikshme në Shqipëri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›