Fullani: Rritet besimi i publikut, depozitat kthehen në sistem
Lehtësirat monetare të iniciuara nga Banka e Shqipërisë duket se nuk janë transmetuar tek bankat e nivelit të dytë. Ky konstatim vjen nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili në një dalje publike deklaroi dje sistemi bankar vazhdon të ketë nivel të ulët kreditimi, pasi normat e interesit mbeten ende të larta në treg. Por një tregues pozitiv kanë depozitat. Fullani u kërkoi bankave private, që të transmetojnë lehtësirat monetare të iniciuara nga Banka e Shqipërisë. Ai shtoi se po ndiqet me vëmendje situata ekonomiko-financiare edhe në vendin fqinj, Greqinë, për shkak të ndikimit që mund të përcjellë në vendin tonë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha dje se muaji nëntor ka shënuar një stabilitet për treguesit kryesorë makroekonomikë dhe se gjatë muajit është rivendosur një besim i plotë i publikut në drejtim të kthimit të depozitave në sistem. Guvernatori bëri të ditur dje vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për të mbajtur të pandryshuar normën në bazë të interesit. Ndaj këshilli mbikëqyrës i këtij institucioni ka mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut, duke e lënë atë në nivelin e 5.25%. Fullani tha se inflacioni vijon të mbetet brenda kufijve të përcaktuar. Kreu i Bankës Qendrore të Shqipërisë tha se politika e ndjekur i ka paraprirë krizës, efektet e së cilës ndryshe nga vendet e rajonit nuk kanë lëkundur stabilitetin e çmimeve në vend.
Banka e Shqipërisë vëren ngadalësim të kreditimit muajt e fundit. Fullani pranoi dje para medias se në muajt e fundit janë vërejtur tendenca ngadalësuese ekonomike, si pasojë, taksat dhe tatimet nuk janë mbledhur në nivelin e duhur. Duke mbajtur shqetësimin e zgjatjes së kësaj periudhe, Fullani sugjeroi që të bëhet kujdes në 3 muajt e parë të vitit 2010. “Besoj se fundviti do të mbyllet në objektivat e parashikuara, zhvillimet në muajin nëntor janë shumë të rëndësishme, për të përcaktuar bazat e muajve të ardhshëm, por mendimi i Bankës së Shqipërisë është se duhet bërë kujdes i veçantë në tremujorin e parë të vitit 2010”. Fullani u deklarua dje se gjatë muajve të fundit, politika fiskale ka vijuar me tendencën e saj ekspansioniste, ku të ardhurat kanë pësuar rënie, si pasojë e rënies së TVSH-së dhe tatim-fitimit, por nga ana tjetër kanë vijuar shpenzimet e larta buxhetore. Fullani ka ritheksuar dje se mbetet shqetësues për institucionin më të lartë monetar deficiti buxhetor.