E Diel, 1 Nëntor 2026

AI: Të burgosurit sirianë po torturohen

Organizata Amnesty International tha se sirianët që janë mbajtur në paraburgim gjatë kryengritjes kundër regjimit të presidentit, Bashar al-Assad, i janë nënshtruar “torturave sistematike” të regjimit, që llogariten si krime kundër njerëzimit.

Në një raport të ri, grupi për të drejtat e njeriut thotë se situatës në Siri duhet t’i referohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Raporti publikohet në kohën kur njoftohet se forcat qeveritare kanë intensifikuar sulmet në provincën veriore të Idlibit.

Aktivistët opozitarë thanë se janë vrarë dhjetëra persona.

Kryengritësit e armatosur deklarojnë se edhe ata janë kundërpërgjigjur, duke vrarë në një pritë 22 ushtarë.

Deklaratat nuk janë vërtetuar nga burime të pavarura për shkak të kufizimeve, që regjimi ka vënë ndaj medieve.

OKB thotë se më shumë se 8 mijë njerëz kanë vdekur dhe rreth 230 mijë sirianë kanë ikur nga shtëpitë e tyre, që nga fillimi i dhunës para një viti.

Në anën tjetër, kryeministri i Britanisë, David Cameron, theksoi se Britania e Madhe kërkon që në Siri të ketë dorëzim të qetë të pushtetit për opozitën, e jo revolucion, me të cilin do të rrëzohet presidenti Bashar Assad.

"Rruga më e shkurtër për t'i dhënë fund dhunës është tranzicioni, në të cilin Assadi do ta braktis pushtetin, e jo revolucioni nga poshtë lartë", tha Cameron.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›