Santorum fiton në Alabaman dhe Missisipin

Por, fitoret e Santorumit e lënë Partinë Republikane pa një kandidat favorit të qartë, i cili do të përballet me presidentin në detyrë, Barack Obamën.
Para zgjedhjeve paraprake të së martës, Mitt Romney supozohej se do të ishte kandidati kryesor i republikanëve për të marrë nominimin e partisë, por humbjet në Alabama dhe në Missisipi rrisin gjasat për javë të tjera betejash me Santorumin. Kjo ndodh në kohën kur shumë në Partinë Republikane do të preferonin që të përqendroheshin në përgatitjet e të nominuarit për garën e nëntorit.
Santorum dhe kandidati tjetër i republikanëve, Newt Gingrich, janë parë si konkurrentë për votën e konservatorëve në Alabama dhe Missisipi.
Rezultatet tregojnë se të dy garat ishin të ngushta, veçanërisht në Missisipi ku Santorum ka fituar me 33 për qind të votave, Gingrich ka marrë 31 dhe Romney 30 për qind. Sondazhet tregojnë se Santorum ka dalë më mirë në Alabama, ku ka marrë 35 për qind, i pasuar nga Gingrich me 30 për qind dhe Romney me 28 për qind.
Për të siguruar nominimin e Konventës së partisë në muajin gusht në Tampa të Floridas, një kandidati i duhen votat e 1.144 delegatëve.
Romney, me 450 delegatë, edhe më tej ka më shumë se dyfishin e numrit të delegatëve sa ka Santorum.