E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Koalicion me kushtet tona. FRD: Të vetëm në zgjedhje

TIRANE- Fryma e Re Demokratike do të garojnë si parti të vetme në zgjedhjet e 23 qershorit. Lajmi u konfirmua fillimisht për TV "News 24" nga burime të brendshme të partive përkatëse.  

Pavarësisht se kryeministri Berisha pak ditë më parë foli për një koalicion të të gjitha partive të qendrës, kreu i FRD-së, Bamir Topi, njëherësh ish-president i Shqipërisë gjatë një konference për shtyp komunikoi vendimin unanim të partisë, teksa u shpreh kundër aleancave me partitë e tranzicionit. 

Ndërkohë, kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu gjatë një konference për shtyp deklaroi se kuqezinjtë do të bëjnë koalicion me çdo parti që pranon paketën prej 6 pikash të propozuar nga ajo ose në të kundërt do garojë e vetme.

SPAHIU: KOLACION ME PARTINË QË PRANON 6 PIKAT TONA
Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu gjatë një konference për shtyp deklaroi se kuqezinjtë do të bëjnë koalicion me çdo parti që pranon paketën prej 6 pikash të propozuar nga ajo ose në të kundërt do garojë e vetme. 

“Ne emër të AK i drejtohem partive që kërkojnë bashkëpunim që kërkesat e standardet të kushtëzohen nga një pakt kombëtar që të përmbajë :
1. Konfigurim të mekanizmit elektoral, në të gjithë komisionet zgjedhore, deri në KQZ.
2. Marrëveshje elektorale për hapjen e debatit për ndryshimin e sistemit elektoral në sistem kombëtar dhe të korrektuar.
3. Marrëveshje për heqjen e kufirit dhe doganave mes dy shteteve shqiptare Shqipëri dhe Kosovë.
4 Marrëveshje politike për të standardizuar demokracinë nëpërmjet kufizimit të mandateve politike.
5. Reformë Kushtetuese në sistemin e drejtësisë, duke hequr pengesat për kallëzimin e çdo zyrtari të lartë duke i dorëzuar së pari drejtësisë shtetasin Berisha.
6. Marrëveshje politike për ndarjen e 3 pushteteve”, deklaroi Spahiu.

TOPI: VENDIM UNANIM, FRD GARON E VETME NË ZGJEDHJE
Kreu i FRD-së, Bamir Topi gjatë një konference për shtyp komunikoi vendimin unanim të partisë teksa sqaroi arsyet. 

“Në mënyrë unanime vendosi që FRD të mos bëjë koalicion parazgjedhor, pra të konkurrojë si subjekt elektoral i vetëm në zgjedhjet e qershorit, ky vendim ishte i pritshëm dhe i paralajmëruar prej muajsh nga FRD si parti seriozë që synon reformimin e sistemit aktual politik, të cilat për interesa jo parimore kanë eliminuar vullnetin e elektoratin duke i detyruar qytetarët të zgjedhin vetëm dy alternativave gati të njëjta. Sot qytetarët kanë mundësi të zgjedhin një alternative të tretë që ofron kapacitet për qeverisje më të mirë transparente dhe evropiane”, deklaroi në konferencën për shtyp kreu i FRD-së Bamir Topi. 

Kreu i FRD-së, theksoi se synim ka qenë aleanca me qytetarët dhe ftesës për bashkëpunim i janë përgjigjur grupe të djathta, si pronarë të ligjshëm, shtresë e mesme, elitë intelektuale, etj. Topi mohoi kategorikisht aleancë me partitë që ai i cilësoi, parti të tranzicionit.

“Në këtë mënyrë FRD dëshmoi se është pari e parimeve të qëndrueshme që nuk mund të bëjë kompromise në kurriz të qytetarëve, por ka një program, synim dhe projekt afatgjatë për shtetin dhe qytetarët. Dëshiroj të sqaroj se FRD gjatë aktivitetit 1- vjeçar nuk ka kërkuar bashkëpunim me asnjë forcë apo parti të tranzicionit, kemi synuar aleancë vetëm me qytetarët dhe kemi afruar çdo forcë që ndan parimet tona”, theksoi Topi.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›