E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Vorpsi: Rama tregti me lejet e ndërtimit, për përfitime politike

TIRANE- Zëdhënësja e Partisë Demokratike Laura Vorpsi deklaroi sot se qeveria është e vendosur të investojë për terrene sportive në lagje e shkolla, ndërsa akuzoi kryesocialisitn Rama se i ka vënë buldozerin ambienteve sportive.

“Dje, kryeministri Berisha inauguroi së bashku me kryetarin e bashkisë një terren sportiv dhe mbolli pemë në një shesh mes pallateve në një lagje të Tiranës.Kryeministri u angazhua se ai e konsideron kujdesin për tokën dhe mjedisin si kujdesi për shëndetin dhe jetën. Në kuadrin e planit kombëtar të zhvillimit të Sportit, qeveria do të mbështesë nismën e krijimit të terreneve sportive në të gjitha blloqet e qyteteve shkollave dhe komunave të vendit. Partia Demokratike beson se rinia duhet të ketë mundësi pa kufij; po kështu edhe mundësinë për të lulëzuar në sporte. Por e vetmja mundësi që shqetëson Z. Rama është kontrolli personal mbi Partinë Socialiste. Prandaj dhe asokohe, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Z. Rama tregtoi lejet e ndërtimit për përfitime politike. Ai dha “Leje Klientele” për të ndërtuar gradaçela në oborret dhe ambientet sportive të shkollave. Z. Rama i ka futur buldozerin ambienteve sportive në shkolla për përfitime personale politike”, tha Vorpsi.

Sipas Vorpsit Rama i ka shitur lejet e ndërtimit për përfitime politike.
“Gjatë qeverisjes së Bashkisë së Tiranës nga Z. Rama terrenet sportive u zhdukën njëra pas tjetrës. Nga 104 që ishin në Tiranë, mbetën vetëm 6 të tilla. Dhe nuk përfundon këtu. Në çdo rast që Z. Rama ka pasur për të zgjeruar ambientet sportive për rininë, Z. Rama i ka detyruar deputetët e tij për të votuar kundër. Z. Rama i detyroi deputetet nën hyqmin personal të votonin kundër financimit për zhvillimin e federatave sportive. Z. Rama nuk lejon asgjë, ai nuk pyet as për shëndetin dhe arritjet e rinisë shqiptare, sepse beson se ato do të jenë pengesë në luftën e tij për karrige. Z. Rama ish sportist i dështuar politik mund të bllokojë, bojkotojë dhe të bëjë pazar me të ardhmen e të rinjve, por Partia Demokratike ka ndërmarrë veprime konkrete për ti dhënë akses të rinjve në trajnimet dhe shërbimet cilësore sportive. Ne kemi themeluar kampionate të reja sportive, kemi ndërtuar 20 komplekse sportive të rinj dhe kemi përmirësuar dukshëm palestrat, fushat e sportit dhe shërbimet sportive”, tha ajo.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›