E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Policia maqedonase presion aktivistëve tanë, qeveria shqiptare hesht

SHKUP- Drejtori Ekzekutiv i Aleancës Kuq e Zi Redi Ramaj ka denoncuar sot një incident të ndodhur më një aktiviste të kësaj lëvizje në kufirin Maqedoni-Shqipëri, e cila është ndaluar dhe marrë në pyetje për pesë orë nga policia maqedonase, për lidhjet e saj me Aleancën Kuq e Zi dhe Kreshnik Spahiun.

“Sot, kur midis shteteve të Europës Juglindore nevojitet më shumë se kurrë fryma e harmonisë dhe bashkëjetesës paqësore, qeveria maqedonase duket se mendon dhe vepron ndryshe. Në datën 7 dhjetor 2011 në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, shtetasja rumune me origjinë shqiptare Mona Agrigoroaiei është mbajtur e izoluar dhe marrë në pyetje për më shumë se 5 orë rresht nga oficerë civilë të shërbimeve maqedonase të sigurisë. Mona Agrigoroaiei është zbritur në mënyrë selektive nga autobusi me të cilin udhëtonte drejt Tiranës dhe më pas është izoluar.. Kjo shtetase është privuar nga e drejta e saj ligjore të kontaktojë me përfaqësues të ambasadës së vendit të vet duke u bërë dhe objekt i një presioni psikologjik dhe një trajtimi aspak human, që shkon ndesh me standartet e Bashkimit Europian, bashkësi drejt së cilës qeveria maqedonase synon të anëtarësohet së shpejti”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga AK për mediat.

Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje qeverisë maqedonase të ndalë vargun e akteve të patolerueshme drejtuar shqiptarëve dhe aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi, ndërsa shpreh indinjatën e thellë për heshtjen e vazhdueshme të qeverisë shqiptare mbi rastet flagrante të dhunës psikologjike tek shqiptarët e Maqedonisë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›