Basha, koncert rrok me të rinjtë në Bllok
Me rastin e Ditës së Rinisë, Bashkia e Tiranës ka organizuar mbrëmjen e djeshme një koncert festiv me “DJ” më të mirë
Ekstravagancë, rrok dhe vajza të bukura në veshje provokuese, në një sfilatë dhe koncert me rastin e Ditës së Rinisë, të organizuar nga Bashkia e Tiranës, një festë për të rinj të lirë në ditën që kujton betejat për të mbërritur te kjo liri. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka festuar vetë mes qindra të rinjve në zonën e ish-Bllokut. Koncerti spektakolar festiv, ku veç muzikës rrok nuk ka munguar as sfilata e modës me modele që kanë sfiduar edhe temperaturat, ndërsa të veshura në mënyrë provokuese kanë ecur përmes tabetit të një skene të improvizuar në rrugën pedonale. E gjithë kjo e organizuar në një zonë që është gjithmonë plot me të rinj të gatshëm për festë e që dje janë shumëfishuar me ata që iu bashkuan koncertit festiv “Rock the Block”, organizuar nga Bashkia e Tiranës.
Të mbledhur përbri ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, të rinjtë e kryeqytetit si dhe të ardhurit nga rrethe të ndryshme të vendit kanë festuar së bashku me kryebashkiakun Lulzim Basha, në nderim të studentëve të dhjetorit 1990, por edhe në formë proteste ndaj atyre që izoluan Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke zgjedhur pikërisht disa nga simbolet që i kishte të ndaluara dhe për të cilat luftoi rinia e viteve 90’.
Në këtë aktivitet festiv kanë performuar në itinerare të ndryshme kohore “DJ” më të mirë të rrymave muzikore rrok. Atmosfera ka qenë spektakolare, pasi të rinjtë kishin mundësi të zgjidhnin vendin ku luhej muzika që pëlqenin.
E cilësuar si “Nata e rinisë”, pasditja e djeshme u shoqërua me një sërë aktivitetesh të tjera, ku spikatën edhe tendencat e fundit të modës. Ndonëse temperaturat ishin të ulëta, ky fakt nuk i ka penguar organizatorët e “Natës së rinisë” të organizojnë një sfilatë me modele të mirënjohura. Një sfilatë e guximshme, ku u prezantua tendenca më e fundit e modës rinore. Tapeti i kuq dhe dekori me lule të bardha e kthyen rrugën pedonale të ish-Bllokut në një pasarelë të vërtetë. Duket se veshjet ishin zgjedhur enkas provokuese për të qenë mirëfilli simbol i kësaj ditë që i kushtohet rinisë të ngritur në këmbë në kërkim të lirisë, qoftë kjo e shfaqur me veshje provokuese. Duket se edhe vendi është përzgjedhur simbolikisht nga organizatorët që kanë tentuar të provokojnë me vendosjen përballë vilës së ish-diktatorit gjatë sundimit të të cilit mund të përndiqeshe për flokë pak më të gjata se normalja.
Organizatorët kishin menduar që pas çdo performance të “DJ”, e cila zgjaste nga 45 minuta deri në 1 orë, të zhvillohej një sfilatë me koleksione të ndryshme dimërore. Pas festimeve të organizuara deri në orët e mesnatës në rrugët pranë ish-Bllokut, të rinjtë u janë bashkuar lokaleve të kësaj zone, të cilat janë lejuar që të qëndrojnë të hapura edhe pas orarit të përcaktuar. Megjithatë, organizatorët e këtyre minifestave, për të mos krijuar probleme me rendin dhe qetësinë janë kujdesur që të rinjtë të mos konsumonin shumë alkool.