E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat shembin rrugën që të çon në banesën e Ismail Kadaresë

Gjirokastër -Si pasojë e shirave të rrëmbyeshme që kanë përfshirë ditët e fundit zonën e Gjirokastrës, është shembur segmenti rrugor që të çon në banesën e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Bëhet fjalë për rrëshqitjen dhe dëmtimin e rreth 50 metrave të kësaj rruge që ndodhet në pjesën e poshtme të lagjes ‘Palorto’, aty ku ngrihet edhe banesa e gurtë e Kadaresë. Sipas banorëve të lagjes, vitet e fundi ishin shfaqur çarje dhe plasaritje përgjatë kësaj rruge, por me gjithë paralajmërimet e tyre, askush nuk reagoi për frenimin e erozionit dhe parandalimin e rrëshqitjes së rrugës”. Shembja e këtij segmenti rrugor ka krijuar probleme jo vetëm për banorët e kësaj zone të qytetit të Gjirokastrës, por edhe për vizitorët që kërkojnë të shikojnë nga afër banesën e lindjes të shkrimtarit Ismail Kadare. Banorët e lagjes thonë se “me gjithë temperaturat e ulëta të dimrit, sërish grupe vizitorësh të huaj vijnë në këtë lagje për të parë shtëpinë e lindjes së Kadaresë. Shembja e rrugës duket se do t’i vështirësojë vizitat e grupeve turistike për në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. B.Sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›