AK: Sajmir Tahiri u ofron 200 euro anëtarëve tanë për tu larguar nga partia
Aleanca Kuq e ZI ka akuzuar deputetin e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri se kundrejt shumës prej 200 euro kërkon të largojë anëtarët e AK-së. Partia Socialiste vijon shantazhin brenda opozitës duke tentuar të krijojë diversion në strukturat e Aleancës Kuq e Zi. Kryetari i PS për Tiranën Sajmir Tahiri sëbashku me deputetin Besnik Bare dhe me deputetë të tjerë të kësaj force politike kanë marrë përgjigjen e merituar nga çdo anëtar apo drejtues i çdo strukture të Aleancës Kuq e Zi, teksa i kanë ofruar 200 euro për largimin e tyre nga AK. Duke përdorur oferta të ulëta për vende pune imagjinare, Partia Socialiste po dëshmon në mënyrë të qartë se fortuna që po krijon nuk i shërben kauzës së opozitës së vërtetë shqiptare por shtetasit Berisha. Kjo parti po dëshmon dita ditës se jo vetëm që nuk vuan nga kriza ekonomike, por është e kapur nga mafia, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e AK-së. Në vijim, AK thekson se asnjë anëtarë i saj nuk do të joshet nga ofertat e PS-së. AK shpreh vendosmërinë se asnjë anëtar apo drejtues i saj nuk do të joshet nga asnjë ofertë ngadoqoftë e prejardhur ajo dhe se kauza e kuqezinjve është udhërrëfyes i sigurt për fitoren e 23 qershorit. AK është sot më e vendosur se kurrë se përballë akteve të tilla të PS, obligohet të kryejë e vetme detyrimin madhor kombëtar, atë të çlirimit të qytetarëve shqiptarë nga kthetrat e regjimit kriminal të shtetasit Berisha, përfundon reagimin e saj Aleanca Kuq e Zi.