Rama: Pas 23 qershorit drejtorët demokratë i pret gjyqi i publikut
Partia Socialiste ka çelur zyrtarisht dje fushatën elektorale në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij kreu i PS-së, Edi Rama ju referua mitingut të organizuar nga Partia Demokratike pak ditë më parë në këtë qark. Sipas Ramës mitingu i PD-së në Fier u organizua me njerëz të marr rob nga administrata. Saliu erdhi para ca ditësh dhe e mbushi sheshin me robër, ne sot (dje) erdhëm këtu dhe sheshi është mbushur me qytetarë, me të cilët më 23 qershor do të çlirojmë dhe robërit e qeverisë. Që të mos ketë më, mësues, mjekë, nëpunës shteti që merren zvarrë për qokat e pushtetit. Mos ketë rrogëtarë që tremben nga ky pushtet, tha Rama.
Drejtorët
Sipas Ramës pas 23 qershorit do të ndëshkohen të gjithë ata drejtorë të cilët nxjerrin me dhunë punonjësit në mitingje. Do më lejoni që në këtë tribunë tu them dy fjalë njerëzve të zakonshëm demokratë, jo atyre drejtorëve që pas 23 qershorit i pret gjyqi i publikut. Gjithë drejtorët demokratë që bëjnë presion mbi nëpunësit me votë do të përfundojnë në gjyq, për të dhënë llogari për presionet e tyre. Pas 23 qershorit shteti do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e gjithë shqiptarëve. Unë e di fare mirë se çfarë do i thotë Fieri Saliut më 23 qershor, u shpreh Rama. Në vijim, kreu i PS-së premtoi uljen e kostos së prodhimit për të gjithë fermerët si dhe heqjen e akcizës së naftës për ta. Rama premtoi se pas 23 qershorit do të ulë taksat për 95 përqind të shqiptarëve. Listën e kandidatëve të PS-së në qarkun e Fierit e kryeson, kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, ndërkohë që pas tij renditen, Erjon Braçe dhe Eglantina Gjermeni.
Braçe: Zoti ju dha gjithçka, Berisha jua mori
Në fjalën e tij kandidati i PS-së për qarkun e Fierit, Erjon Braçe akuzoi qeverinë se ka vjedhur pasuritë e këtij qarku. Fitorja juaj do shërbejnë për atë që është quajtur, kryeqyteti i socialistëve të Shqipërisë. Zoti i dha qarkut tuaj çdo gjë, por dhe ky qark ka një njeri që e pengon, e vjedh, e vret ky është Sali Berisha. Ju keni detin, por detin ju pengon ta përdorni Sali Berisha, keni naftën, tokat por ju pengon ai ti gëzoni e punoni. Këto janë ditët, javët, muaji që vendos njëherë e mirë të na ndajë nga e shkuara dhe të na shtyjë drejt së ardhmes, tha Braçe.
Rama: Gjirokastra do ndëshkojë Saliun, në Kuvend katër deputet të PS-së
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi dje kandidatët e PS-së për qarkun e Gjirokastrës. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Gjirokastra do të ketë në parlamentin e ardhshëm katër deputetë socialist. E di shumë mirë se çfarë do i thotë Gjirokastra Saliut më 23 qershor. Ju jeni sot të izoluar nga mungesa e rrugëve, në varfëri dhe papunësi. Ndëshkimin historik do e jepni me zgjedhjen e 4 deputetëve të PS në parlament. Emigrantët do vijnë për të ndëshkuar qeverinë e rrënimit me votën e tyre qeverinë e papunësisë, qeverinë që po e shkatërron biznesin, qeverinë e shërbimeve sipas qejfit, tha Rama. Në vijim, kreu i PS-së ka akuzuar sërish qeverinë se po shfrytëzon administratën për të mbushur sheshet e mitingjeve. Kurrë më drejtorë shkollash që bëjnë presion, përdorin institucionet e shtetit për interesat e pushtetit, kurrë më arsimtarë që merren zvarrë në sheshe. Ne i mbushim sheshet me qytetarët që kërkojnë ndryshimin ndërsa ato të Saliut nga turmat e robërve që do i çlirojmë më 23 qershor, deklaroi Rama. Lista e kandidatëve të PS-së në këtë qark kryesohet nga deputetin Arben Ahmetaj.
Lista e kandidatëve të PS-së për qarkun e Fierit
1. GRAMOZ RUÇI
2. ERION BRAÇE
3. EGLANTINA GJERMENI
4. ILIRJAN CELIBASHI
5. ARMANDO SUBASHI
6. ARBEN ÇUKO
7. PIRO LUTAJ
8. MAJLINDA BUFI
9. ERVIN KOÇI
10. ANDUEL XHINDI
11. BUJAR ÇELA
12. XHEVIT BUSHAJ
13. ARTUR ÇOBANI
14. ADELINA RISTA
15. ANTONETA DHIMA
16. LINDITA BUXHELI