E Diel, 1 Nëntor 2026

AK, Spahiu: Në zgjedhje me 140 kandidatë, unë përballë Berishës në Tiranë

TIRANE- Aleanca Kuq e Zi shpall sot listat e kandidatëve në zgjedhjet e 23 qershorit. Kreshnik Spahiu deklaroi para mediave se ai do të kandidojë në Tiranë përballë kryeministrit Berisha.

“Unë do garoj në qytetin ku u linda dhe u rrita. Aleanca ka një mision tu japë shqiptarëve një Shqipëri pa Saliun dhe Edi Ramën. Jam përballë njeriut që na mbajti peng për 20 vite. Jam i bindur që cço shtetas shqiptar do dijë të zgjedhë mes Kreshnikut dhe Berishës, ai është i ndjeri që ka vdekur politikisht. Tirana do votojë për ndryshimin”, tha Spahiu.

Ai bëri me dije se në listat e AK do të ketë 140 kandidatë
“Kur kanë mbetur edhe disa orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave, AK bëhet subjekti i parë politik por edhe lëvizja e parë që hyn në këto zgjedhje si një fenomen ndryshe, një fenomen që ka dalë nga shoqëria dhe populli. AK forca politike e vetme, që vjen me optimizmin për të çliruar Shqipërinë”, tha Spahiu.

Në listat e AK, siç tha Spahiu nuk garon asnjë ish-deputet e ish-ministër, por ka figura të reja që hyjnë për herë të parë në garën politike.

“Nuk kemi asnjë deputet dhe ish-deputet në listat tona, ne gjak të ri dhe kandidatë që garojnë për herë të parë. Kam pasur shumë telefonata nga ish deputetë të PS dhe PD për të qenë pjesë e listave tona. Do doja të bëja publik verdiktin për ti refuzuar ata të përfshihen në listat tona, i them stop trafikimit të deputetëve. 140 kuqezinj garojnë kundër faqezinjve”, tha Spahiu, ndërsa shtoi se AK premton të sjellë në Kuvend burra dhe jo burracakë. 

Më tej, lideri i AK bëri me dije se AK synon të jetë forcë e dytë edhe në qytetin e Fierit.
“Sot vijmë me një ambicie të jashtëzakonshme, në Fier jemi forca e dytë politike dhe jemi të bindur se që nga Fieri, Durrësi, Korça e Elbasani ne do t’ju sjellim triumf”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›