Aksidentoi policët, autori kapet në Durrës
Edmir Koleci: Nuk i pashë policët në postbllok, isha i dehur. Krimet e Rënda: Hetime për vrasje
Dëshmori - Policia e Shtetit nis procedurat për shpalljen Dëshmor i Atdheut për inspektorin e rendit në Komisariatin e Policisë së Kamzës, Selman Lena
Precedentët - Brenda tre viteve është rasti i tretë në Tiranë që në postbllok vriten apo plagosen policë. Autori largohet nga vendi i ngjarjes dhe kolegët nuk reagojnë
Sokol Çobo
Aksidenti tragjik në Kamzë, ku një punonjës policie humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila e ka regjistruar ngjarjen si vrasje për shkak të cilësive të veçanta. Nën akuzë është vënë shtetasi Edmir Koleci, i cili, duke drejtuar një automjet, ka aksidentuar inspektorët e qarkullimit rrugor, Selman Lena dhe Preng Lleshi, të cilët i kishin kërkuar që të ndalonte. Lena ka humbur jetën disa çaste më vonë, ndërsa Lleshi është në gjendje të pastabilizuar shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës, në segmentin që lidh Institutin Bujqësor me Kamzën, pranë vendit që njihet si Kthesa e Bathores, ndërsa autori, pas krimit ka tentuar që të largohet me shpejtësi, duke braktisur edhe mjetin me të cilin udhëtonte. Ai mësohet se ka kërkuar ndihmën e një shokut të tij që ta largojë nga vendi i ngjarjes dhe pas ndjekjes policore ai është arrestuar në Rrethin e Durrësit, në zonën e Shijakut, në prani edhe të një bashkëpunëtori. Burimet nga policia thanë për gazetën Shqip se është arrestuar edhe shtetasi Shkëlzen Sula, pasi akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, ndërsa deri më tani, ngjarja është regjistruar si vrasje. Për hetuesit e çështjes, ekspertizat dhe pyetja e dëshmitarëve okularë do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me vrasje apo me një aksident të pafat për punonjësit e policisë, që kishin dalë për të kryer një kontroll të automjeteve në një nga akset me të rëndësishme.
Pyeten dëshmitarët
Oficerët e Policisë së Shtetit, por edhe prokurorë dhe hetues nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë shkuar në vendngjarje, ndërsa puna e parë ka qenë identifikimi i autorit. Ai është Edmir Koleci. Pas identifikimit edhe të mjetit, filloi puna për arrestimin, madje u përdoren edhe metoda speciale, si përgjime telefonike. Nga antenat e telefonisë së lëvizshme, ai u mbajt nën kontroll dhe pas disa orësh, pikërisht mëngjesin e së dielës, Koleci u arrestua në Shijak, në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Në pranga ra edhe Shkëlzen Sula, ndërsa hetuesit janë përqendruar edhe te punonjësit e policisë që ishin në postbllok. Kemi marrë në pyetje disa inspektorë policie që ndodheshin me viktimën dhe të plagosurin në postbllok. Kemi mësuar urdhrin që kanë marrë për të dalë në rrugë, ndërsa janë pyetur edhe për detaje të tjera. Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe se ka pasur dyshime se në këtë aks lëviznin persona të rrezikshëm kriminalë, pohojnë burimet e prokurorisë, duke iu referuar dëshmive të policëve. Sipas tyre, autori Edmir Koleci po drejtonte automjetin tip BMW X5 shumë shpejt, në një aks që ka pasur edhe automjete të tjera në qarkullim. Ai ka kryer disa parakalime dhe duke pasur dyshime se ai mund të transportonte armë dhe drogë, policia i ka bërë shenjë që të ndalojë. Madje, në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa mjete që përdoren nga policia për ngritjen e një postblloku.
Isha i dehur
Një nga fazat e hetimit ka qenë edhe pyetja e autorit të krimit, Edmir Koleci. Pas arrestimit në Durrës ai u transferua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku dhe ka dhënë dëshmi të hollësishme për aksidentin tragjik ndaj dy punonjësve të policisë, ku njëri prej tyre humbi jetën dhe tjetri po lëngon në spital, pas plagëve të marra. Ai ka shpjeguar se po udhëtonte me shpejtësi dhe nuk e ka menduar që në rrugë të kishte punonjës policia. Koleci ka shpjeguar se ka parë si hije inspektorët e policisë, por duke qenë errësirë, ai ka vazhduar, ndërsa para tij ishte edhe një automjet tjetër. Para kisha një automjet dhe në momentin që bëra manovrën e parakalimit, i godita dy punonjësit e policisë. U largova nga frika dhe e kam braktisur makinën në një fshat, mësohet se ka deklaruar Koleci para hetuesve, ku dhe është pyetur përse nuk ka ndaluar, apo nëse në automjet ka pasur sende të ndaluara. Nuk kam pasur asnjë gjë në makinë. Nuk i kam parë policët. Isha me shpejtësi të lartë, ka cituar ai, teksa ka shtuar edhe një detaj, që ndoshta mund të konsiderohet nga mbrojtja edhe si faktor lehtësues. Kam qenë shumë i dehur. Para ngjarjes kam qenë me disa miq të mi në një darkë dhe po udhëtoja drejt banesës, ka shtuar Koleci.
Manovra fatale
Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar ngjarjen si vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, ndërsa një nga veprimet hetimore ka qenë vendi i ngjarjes, nëse kemi të bëjmë me një vrasje apo me një aksident fatal për dy punonjësit e policisë. Dëshmitarët okularë, kolegët e viktimës, kanë pohuar se në momentin e aksidentit, Lena dhe Lleshi po kontrollonin një automjet me targa greke, i cili kishte ndaluar në anë të rrugës. Shoferi kishte dalë nga makina, ndërsa dy punonjësit e policisë po shkonin për ti marrë dokumentet. Në këtë moment ka ardhur me shpejtësi edhe automjeti tip BMW X5 i Kolecit, duke i aksidentuar dhe shkaktuar plagë të rënda. Megjithatë, kolegët e viktimës dhe të të plagosurit, thanë se, në momentin që panë këtë automjet me shpejtësi, i kanë bërë shenjë që të ndalojë. Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda do të duhen raporte të ekspertëve që të përcaktojnë edhe shkakun e vërtetë.
Shërbimi
Verifikime për planin operacional që kishin marrë viktima dhe i plagosuri
SHKB nis hetimet për ngritjen dhe reagimin e postbllokut
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një hetim për planin operacional për ngritjen e postbllokut në Kamzë nga efektivat e policisë dhe nëse ishte në bazë të rregullores dhe ligjit. Inspektorët e SHKB-së kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe paralelisht me prokurorinë, kanë marrë urdhrat me shkrim dhe kanë nisur menjëherë verifikimet. Madje, ekspertët e saj kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të parë nga afër nëse ishin vendosur apo jo piketat e postbllokut, nëse ishte respektuar distanca apo edhe detaje të tjera. Fakti që postblloku ishte ngritur në orët e vona, ka sjellë dyshime se nuk ka qenë i planizuar mirë, apo edhe me inspektorët që duhet të dilnin për të kontrolluar automjetet. Madje janë marrë në pyetje kolegët e viktimës dhe të të plagosurit, që kanë treguar se nga kush i kanë marrë urdhrat, ka qenë apo jo e planifikuar dalja në këtë segment, si dhe detaje nëse kishte informacione se në këtë aks po qarkullonin elementë kriminalë. Sipas burimeve nga SHKB-ja, janë marrë në pyetje edhe drejtuesit e këtij operacioni, megjithëse ka disa dyshime se vendosja e punonjësve të policisë nuk ka qenë e planifikuar. Megjithëse është evidentuar se autori i këtij krimi të shëmtuar ka shkelur çdo rregull, madje edhe ka kundërshtuar shenjën ndal policia, sërish nga drejtuesit e policisë ka pasur shkelje, kjo për shkak se nuk janë marrë të gjitha masat e