AK, Spahiu: Shqipëria të ribëhet. Të bashkohemi me Kosovën para hyrjes në BE
Aleanca KuqeZi organizoi tryezën e rrumbullaket me temë Roli i shqiptarëve në Ballkan dhe çështja kombëtare. Në tryezën ku merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, ekspertë, historianë, diplomatë në karrierë dhe përfaqësues të trupave diplomatik të akredituar në Tiranë, u diskutua gjerësisht për situatën e shqiptarëve në rajon, kryqëzimin historik ku kombi ynë ndodhet etj.
Gjatë fjalës së tij kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, deklaroi se ka ardhur koha që Shqipëria të ribëhet. Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo do të ishte e vetmja mënyre që bashkimi të ndodhë. Shumë kush deklaron se integrimi do të ndodhë në BE, por harrojnë që në BE ne do të bashkohemi me serbët, grekët, bullgarët, kroatët dhe boshnjakët. Bashkimi i dy shteteve shqiptare Shqipëri dhe Kosovë pasi të anëtarësohen në BE do të bëhej i vështirë, për të mos thënë i pamundur, sepse anëtarësimi në BE ka kushte politiko-juridike të cilat nuk mund të shkelen. Ndaj, Shqipëria dhe Kosova duhet të integrohen në BE si një shtet i vetëm. Gjithsesi ky bashkim nuk mund të vijë pa larguar këtë regjim politik, i cili është kundër bashkimit, deklaroi Spahiu.
Duke u ndalur tek zhvillimet politike në vendin tonë, Spahiu komentoi dhe takimet politike për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Kemi parë e dëgjuar tërë këto javë dhe ditë për takimet e liderëve politike. Lajme pafund për takimin Rama-Berisha. Liderët politik në Shqipëri takohen sikur të ishin përfaqësues të dy shteteve armike dhe në luftë dhe jo si përfaqësues të një kombi të vetëm. Është kjo frymë e politikës shqiptare që nuk mundëson bashkimin e shqiptarëve ndaj bashkimi me Aleancën KuqeZi është e vetmja mundësi për realizimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve. Largimi i klasës politike me sjellje armike është e vetmja rrugë për bashkimin e dy shteteve tona, deklaroi Kreshnik Spahiu.
Me tej lideri i kuqezinjve u shpreh se shqiptarët në rajonin e Ballkanit trajtohen si popull i dorës së dytë, madje edhe në Shqipëri, ku kryeministri Sali Berisha i trajton çamët si minoritet. Ndërsa duke u ndalur trk situate në Maqedoni, kreu i Aleancës KuqeZi lëshoi një apel për shqiptarët e Maqedonisë. Forcat politike shqiptare në Maqedoni të tërhiqen nga koalicioni qeverisës dhe të bashkohet e gjitha në një opozitë solide dhe konstruktive që të kundërshtojë politikat anti-shqiptare që zbatohen atje. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të protestojnë, por duhet të udhërrëfehen nga identiteti kombëtar i shqiptarëve. Flamuri shqiptar të valëvitet në protestat e shqiptarëve të Maqedonisë, jo flamuri turk dhe arab, përfundoi Spahiu.