E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano thirrje Berishës e Ramës: Të mos humbasim raundin e tretë

Ish-kryeministri Fatos Nano ka përshëndetur takimin e djeshëm mes Kryetarëve Berisha e Rama. Në një deklaratë për shtyp Nano  thekson se takime të tilla kërkohet të jenë normalitet dhe pjesë e një kulture dhe sjelljeje natyrale, të vetvetishme për liderët politikë shqiptarë.

"Ato duhet të vazhdojnë të zhvillohen në klimë mirëbesimi, parimore, transparente, me sens të fortë përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje para publikut shqiptar për publikun shqiptar, të jenë pjesë e shprehive dhe mendësisë demokratike euroatlantike. Liderët politikë duhet të vazhdojnë t`i kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrat e tyre dhe të vendosin interesat e vendit përmbi interesat partiake, si edhe interesat publike përmbi interesat vetjake” thekson Nano.

Fatos Nano u bën thirrje Kryetarëve Berisha e Rama, që për të mos humbur shansin e tretë në Raundin e tretë të votimit për President, e kësisoj për të mos rrezikuar edhe shansin e tretë të Shqipërisë për të marë Statusin Kandidat në BE vjeshtën që vjen, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.

Ai ka theksuar se dy liderët kryesorë duhet të jenë këmbëngulës dhe mirëbesues për takime e negociata të vazhdueshme parimore, transparente e qëllimlarta me njëri-tjetrin e të tjerët për të mbërritur në produktin më të mirë, duke zgjedhur Presidentin më të mirë për shqiptarët. 

Sipas tij dy liderët nuk duhet të fuzionojne axhendat politike partiake dhe të mos lejojnë lojërat meskine për pushtet të errësojnë rëndësinë parësore që ka zgjedhja e Presidentit të Republikës, si hap i parë për të vazhduar me përmbushjen e të gjitha reformave të cilat do të bëjnë të mundur që Shqipëria ta meritojë Statusin Kandidat në BE.
 

Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të bëhet garant i kushtetutës, garant i përmbushjes së të gjitha reformave, si edhe garant e i përkushtuar që, të gjithë së bashku. “Presidenti dhe Liderat Politikë të angazhohen plotësisht që në vitin 2013 në Shqipëri të organizohen zgjedhjet e para themeluese të lira, të ndershme e te pakontestuara, si shprehje e vullnetit, kulturës politike dhe standarteve më të mira Europiane” shton Nano.

Ai ka theksuar më tej se konsensusi nuk duhet të jetë një fjalë e pakuptueshme për shqiptarët, të cilën e dinë vetëm Kryetarët si dhe ai nuk duhet të bëhet lojë e tyre për të fshehur apo ushqyer axhendat meskine e lojërave për pushtet. “Konsensusi kërkohet të bëhet një fjalë e thjeshtë, e lexuar dhe kuptuar lehtë e parimisht nga të gjithë shqiptarët. Konsensusi për shqiptarët duhet të jetë: një proçes mirëbesimi dhe mirëkuptimi për bashkërendim e bashkëvendosje nga të gjitha palët politike të përfaqësuara në Kuvend. Konsensusi nuk duhet të arrihet për hir të konsensusit e në dëm të produktit, pra të cilësisë së zgjedhjes së Presidentit” shton më tej Nano.

Gjithashtu Nano shpreson se klasa politike shqiptare do të dëshmojë maturi të mjaftueshme që në respekt të kujdesit dhe ndihmës së vyer të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE Etore Sekui dhe Ambasadorit të OSBE Eugen Volfarth, të arrijë marrëveshjen e shumëpritur për ta mikpritur me meritë dhe pjekuri të dërguarin e Komisionerit Stefan Fule, Stefano Sanino i cili vjen në Shqipëri në dt 7 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›