Berisha fton Ramën të sfidojë emrin e Zaganjorit me një kandidaturë të tijën
Kryeministri tha se pasi opozita të paraqesë emrin, të ulen në tryezë për konsultime për të parë kush është më i miri
Kryeministri Sali Berisha, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, tha se mazhoranca është e angazhuar për një proces sa më të gjerë të mundshëm.
Ky do jetë një proces sa më i gjerë i mundshëm. Në këtë frymë, duhet tu them se konsultimet janë të pandërprera, qoftë mes aleatëve në mazhorancës, qoftë edhe me opozitën. Në këtë kuadër u zhvillua takimi në kryesinë e Kuvendit me zotin Rama e zotin Ruçi, ku mendoj se u shprehën gjerësisht pikëpamjet dhe qëndrimet e palëve.
Ne dolëm jashtë fushës politike, që me meritë duhet të ishte e para. Por, me problemin që krijon për konsensusin, ajo nuk mund të jetë e para. Duhet të jemi realistë, nuk mund të ftosh opozitën dhe ajo nuk të fton ty që të votojë kandidatura të fushës dhe sfondit politik. Nëse është fjala për konsensusin, tha Berisha.
Kryeministri tha se opozita duhet të paraqesë kandidaturën e saj.
Qoftë edhe njëherë të vetme nuk kam deklaruar e nuk kam menduar se partia kryesore opozitare nuk duhet të propozojë, nuk duhet të paraqesë kandidatura dhe se kandidaturat e saj do paragjykohen. Jo. Preokupimi ynë duhet të jetë një proces thellësisht kushtetues.
Ai post është posti i të parit të shtetit. Nuk mundet që të shkojmë poshtë, duhet të kërkojmë lart. Në këtë kontekst ju garantoj se në takim theksova se ne do bëjmë vlerësimin e kandidaturës së PS, duke besuar se kandidati i përzgjedhur meriton mbështetjen tonë, tha Berisha.
Uroj që të votojmë raundin e tretë kandidaturën më të mirë. Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë të përpiqemi për mirëkuptimin më të gjerë të mundshëm, sikundër dhe një vetëdije e thellë për çdo qytetar, për çdo politikan, ekziston se kreu i shtetit duhet të ketë integritetin, dhuntinë dhe të gjithë aftësitë për të përfaqësues me dinjitet vendin dhe kombin. Të tillë Shqipëria ka. Ftoj opozitën të shqyrtojë kandidatin dhe e ftoj të paraqesë kandidatin e vet dhe të angazhohemi në një proces konsultimesh civile dhe të përgjegjshme në interes të vendit.
Unë, të jem i sinqertë me ju, çfarë kam në zemër, ua them. Se çfarë nxjerrin çdo ditë në skuta e kënd, ju i merrni vesh para meje.