Berisha: Mbështetje Zaganjorit.PS të propozojë kandidatin e saj

Kryeministri Berisha ka shprehur sërish mbështetjen e plotë të maxhorancës për kandidatin për president, Xhezair Zaganjorit ndërsa ftuar opozitën që krahas shqyrtimit të saj të paraqesë edhe kandidatin e saj. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha gjithashtu ka informuar deputetët edhe me takimin e djeshëm me kryesocialistin Edi Rama.
“Takimi ishte një përpjekje, palët shprehën qëndrimet, pikëpamjet. Sot shqiptarët prisnin votimin, nuk ndodhi, po vjen raundi i tretë, uroj që të votojmë në raundin e tretë kandidaturën më të mirë, jemi të vendosur të vazhdojmë të përpiqemi për mirëkuptimin më të gjerë të mundshëm Ekziston një vetëdije e thellë për çdo qytetar, për çdo politikan se kryetari i shtetit duhet të ketë integritetin, dhuntinë dhe të gjithë vetitë dhe aftësitë për ta përfaqësuar me dinjitet vendin dhe të tillë Shqipëria ka. Ndaj dhe duke iu shprehur mbështetjen e plotë kandidatit tonë ftoj opozitën që ta shqyrtoj sikundër e ftoj atë të propozojë edhe kandidatin e saj. Jemi të angazhuar në një proces konsultimesh civile, të përgjegjshëm dhe në interes të procesit dhe të vendit” shtoi Berisha.
Berisha është përpjekur dhe të argumentoj mbështetjen ndaj Zaganjorit si jo kandidaturë partiake. “Ai është personalitet me karrierë të gjatë 31 vjet, janë me qindra juristë që u ka dhënë mesim dhe e njohin. Paraqitja ishte transparente, por ndërkohë nuk kam deklaruar dhe menduar se partia kryesore opozitare nuk duhet të propozojë, apo kandidaturat e saj do të paragjykohen. Preokupimi ynë duhet të jetë proces kushtetues. Besoj se jeni dakord që karrikja është posti i parë i shtetit. Nuk mundet që të shkojmë poshtë, ose të kërkojmë poshte, jo më lart” shtoi Berisha.
Ai inkurajoi partinë më të madhe opozitare të paraqesë kandidaturën e saj për president, duke nënvizuar se nuk do të paragjykohen nga mazhoranca. “Mendoj se paraqitja ishte plotësisht transparente, por ndërkohë siç dhe jeni dëshmitarë, nuk kam deklaruar dhe as menduar se partia kryesore opozitare nuk duhet të paraqesë kandidatura dhe se kandidaturat e saj do të paragjykohen. Jo. Preokupimi ynë duhet të jetë një proces thellësisht kushtetues. Besoj se jeni dakord se nuk mundet që të shkojmë poshtë për të zgjedhur kryesorin, jo më lart duhet të shkojmë. Ndaj theksova se ne do të shqyrtojmë kandidaturën e paraqitur nga PS, duke besuar se kandidati meriton të gjithë mbështetjen tonë të plotë. Pra takimi ishte një përpjekje për të gjetur një ujdi, ku palët shprehën qartë pikëpamjet e tyre, se si mendojnë ata se mund të arrihet ujdia”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Berisha duke e cilësuar si shumë të rëndësishme për vendin procesin e zgjedhjes së presidentit të ri theksoi se mazhoranca ka krijuar frymën dhe kushtet për një votim të gjërë konsensusal në Parlament. “Në tërësi unë e kuptoj adrenalinën që qarkullon tek politika në këtë periudhë por vleresoj shumë edhe mirëkuptimin që keni treguar se ky do të jetë një proces sa më i gjerë i mundëshëm. Në këtë frymë dua t`ju them se konsultimet janë të pandërprera qoftë mes aleatëve por edhe me opozitën dhe në këtë kuadër u zhvillua edhe takimi në kryesinë e kuvendit ku u shpreh gjerësisht pikëpamjet dhe qëndrimet e palëve. Në ekspozenë tonë në këtë takim edhe njëherë ne argumentuam vendosshmërinë tonë për të ecur me një ujdi më të gjërë të mundshme. Dhe në këtë kontekst ne dolëm jashtë fushës politike e cila në meritë duhet të ishte e para por në problemin që krijon për konsensusin ajo nuk mund të jetë e para” shtoi Berisha.