E Diel, 1 Nëntor 2026

AK dënon paditë ndaj 2 aktivistëve të saj në Maqedoni: Gjykata ti shfuqizojë

Aleanca Kuq e Zi ka dënuar sot me forcë paditë penale të ngritura ndaj dy aktivistëve të saj, të cilët vizatuan hartën e Shqipërisë etnike gjatë një manifestimi në Ditën e Flamurit në Tetovë.

Në një deklaratë për mediat, Aleanca Kuq e Zi kërkon Gjykatës së Tetovës shfuqizimin e dy padive penale të ngritura ndaj aktivistëve të saj,  Rinor Slloga dhe Petrit Ibrahimi.

AK i cilëson këto dy padi si kërcënim i hapur ndaj dinjitetit kombëtar dhe lirive të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët nuk përbëjnë një minoritet, por një komb që jeton në trojet e veta. Përfaqësuesit e AK i kërkojnë Gjykatës së Tetovës që të merret me sloganet raciste të tifozëve të ekipeve maqedonase, të cilët kanë ndjellë urrejtje ndëretnike me thirrjet e tyre raciste gjatë ndeshjeve të futbollit si Shqiptari i vdekur, është shqiptar i mirë, Dhoma gazi për shqiptarët, Shqiptarët të zhduken etj.

Dy aktivistët e Aleancës Kuq e Zi nuk kanë ndjellë urrejtje ndëretnike, por kanë respektuar simbolet e kombit shqiptar të cilit i përkasin, ndërkohë që tifozët e ekipeve të futbollit në Maqedoni kanë kërcënuar hapur dhe në masë jetën e shqiptarëve të Maqedonisë duke i cilësuar ata të mirë nëse do të vdisnin, thuhet në deklaratën e AK.

Gjithashtu, në deklaratë, Aleanca Kuqezi shpreh keqardhjen për mungesën e një reagimi të Tiranës zyrtare ndaj këtyre akteve të shëmtuara ndaj shqiptarëve në rajon. Aleanca Kuq e Zi për të disatën herë shpreh dëshpërimin e thellë dhe keqardhjen për politikën e gjunjëzuar të Tiranës zyrtare ndaj akteve të tilla të shëmtuara që po i bëhen kombit shqiptar në rajon, të cilëve po i ndalohet me ligje parlamentare, dhunë verbale policore dhe thirrje raciste maqedonase mbajtja e simboleve kombëtare kuqezi në një kohë kur në vendin tonë valëviten pa asnjë problem në ballkonet e banesave të rezidenteve të përkohshëm flamujt e Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë thekson AK-ja.

Aleanca Kuqezi garanton se nuk do të rrijë duarkryq ndaj racizmit zyrtar të shtetit ku jetojnë 800 mijë shqiptarë duke kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut në bazë të ligjeve ndërkombëtare në fuqi, si dhe duke kërkuar me forcë nga shteti shqiptar respektimin e Kushtetutës të Republikës e cila garanton mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufijve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›